Dy javët e fundit, Reparti i Pediatrisë në Spitalin Rajonal të Beratit,ka qenë i tejmbushur me fëmijë,të prekur nga virozat, ndërkohë që ditët e fundit është vënë re edhe një numër i shtuar i rasteve që paraqiten në këtë repart me çrregullime gastro-intensinale dhe intoksikacione.
Këto viroza të shtuara kanë ardhur si rezultat i temperaturave të larta të 10-ditëshit të fundit të muajit Gusht dhe ndryshimeve klimaterike e nivelit të lartë të lagështirës në ajër.
Lajmin e bën të ditur shefi i Repartit të Pediatrisë në Spitalin Rajonal Berat, mjeku pediatër Vladimir Kumaraku, i cili ka deklaruar se,çdo ditë në këtë repart shtrohen 10-15 fëmijë, që paraqiten me çrregullime gastro-intensinale.
Duke konfirmuar se të gjitha rastet kanë pasur ecuri të mirë klinike dhe nuk ka pasur komplikacione, mjeku Kumaraku ka deklaruar se moshat më të prekura nga këto viroza janë fëmijët nga 0-3 vjeç, ndërkohë që rastet me intoksikacione kanë prekur moshat më të larta.
“Ditët e fundit janë paraqitur raste me çrregullime gastro-intensinale dhe ndryshe nga vitet e tjera, mund të themi se numri i rasteve të infeksioneve të aparatit gastro-intensinal ka pasur këtë vit rritje.
Këto raste virale janë shtuar për shkak të ndryshimeve klimatike, të nivelit të lartë të lagështirës në ajër dhe temperaturave të larta.
Në Repartin e Pediatrisë janë shtruar pothuajse çdo ditë nga 10-15 fëmijë, me çrregullime gastro-intensinale, nga të cilët shumicën ne i kemi trajtuar në Repartin e Urgjencës së Pediatrisë, ndërsa në Repartin e Infektivit ka pasur 2-3 raste çdo ditë me komplikacione. Ecuria e fëmijëve të sëmurë ka qënë e mirë dhe pa komplikacione të rënda.
Këto çrregullime gastro-intensinale kanë klinikën e tyre të përhershme,me dhimbjet e barkut,me dhimbjet e stomakut, me të vjella dhe me diarre të theksuar. Moshat më të prekura janë moshat nga 0-3 vjeç, kurse rastet me intoksikacione kanë prekur moshat më të larta.