Studiuesi Auron Tare, ka reaguar në rrjetet sociale ndaj deklaratës së biznesmenit Mohamed Alabbar, i cili pranoi se investimi i tij në Shqipëri kishte qenë një gabim dhe se kishte ndërtuar me ritme tepër të shpejta.
Tare e ka lidhur këtë deklaratë me projektin e Portit të Durrësit, i promovuar si një ndër investimet më ambicioze në Europë dhe i mbështetur plotësisht nga qeveria.
Të lidhura
None found
“Alabbari, investitori që u paraqit si njeriu që do t’i sillte Shqipërisë një nga projektet më ambicioze në Europë, sot thotë me gojën e vet: “Në Shqipëri kam bërë gabim’”, shkruan Tare.
Sipas studiuesit, pohimi i biznesmenit e bën të domosdoshëm një sqarim publik si për ecurinë e punimeve në Portin e Durrësit, ashtu edhe për të ardhmen e këtij investimi strategjik.
“Porti i Durrësit, aseti më i rëndësishëm portual i vendit, iu besua këtij zotërie me premtimin se do të ndërtohej një projekt transformues. Sot, pas gjithë atyre premtimeve, vetë investitori deklaron se ishte gabim. Atëherë lind një pyetje e thjeshtë: ku është qeveria? Kush u përgjigjet qytetarëve për fatin e këtij projekti”?- shprehet Tare.
Ai nënvizon se kur bëhet fjalë për një pasuri kombëtare me rëndësi strategjike, transparenca dhe dhënia e llogarisë përbëjnë detyrime.
Për këtë arsye, Tare kërkon që deklarata e Alabbar të pasohet nga një shpjegim zyrtar mbi atë që pritet të ndodhë me projektin.
“Nëse bëhen premtime të mëdha për një pasuri strategjike kombëtare, transparenca dhe llogaridhënia nuk janë zgjedhje. Janë detyrim. Pas kësaj deklarate publike duhet të vijë edhe një sqarim publik se çfarë po bëhet me Portin e Durrësit. A ishte një gabim”? – përfundon reagimi i Auron Tares.
