Al Qaeda mund të rikthehet në Afganistan shumë shpejt. Ecuria e deritanishme e gjërave po e dëshmon qartë diçka të tillë.
Khalil Haqqani, një prej terroristëve më të kërkuar nga Shtetet e Bashkuara u prit si hero nga talebanët pas rikthimit të tij në Kabul.
Ai ka drejtuar faljen e të premtes në Kabul, ku u prit nga mbështetsit e tij të zjarrtë.
Personi që merret me mbledhjen e fondeve për Talebanët, i cili ka lidhje edhe me Al Qaeda-n, është në listën e më të kërkuarve në Amerikë, me një shpërblim prej 5 milionë dollarësh për këdo që ndihmon në kapjen e tij.
Tani, ai është një prej personave kyç që do të ndihmojë Talebanët të ngrenë qeverinë gjithpërfshirëse që kanë premtuar për Afganistanin.
Pas ceremonisë, imami Haqqani raportohet nga “The Neë York Times” t’i ketë thënë turmës: “Prioriteti ynë kryesor është siguria e Afganistanit. Nëse nuk ka siguri, nuk ka jetë. Sigurinë do të japim ne, më pas do të sjellim ekonominë, tregtinë, arsimin për burra dhe gra. Nuk do të ketë diskriminim”.
Haqqani është pjesë e rrjetit që mban emrin e tij dhe ka luajtur një rol vendimtar në ngritjen e Talebanëve në Afganistan. Grupi është themeluar nga komandanti i muxhahedinëve, Jalaluddin Haqqani, në vitet 1970 dhe dyshohet se ka ndihmuar Osama bin Laden të arratiset nga Afganistani në vitin 2001. Khalil është vëllai i themeluesit të grupit që u transformua me kalimin e viteve në një rrjet të mirëfilltë terrorist. Ai është gjithashtu xhaxhai i numrit 2 të Talebanëve, Sirajuddin Haqqani.
Pavarësisht fjalëve të tij dhe premtimeve të Talebanëve, ekspertët e sigurisë mendojnë se Haqqani do të bëjë të mundur rikthimin e Al Qaeda-s në Afganistan. Një zyrtar i shërbimeve inteligjente britanike i tha Zërit të Amerikës se rrjeti Haqqani dhe Al Qaeda kanë një histori të gjatë të përbashkët dhe janë të ndërthur me njëri-tjetrin. “Nuk është e lehtë të shkëputen këto lidhje”, tha ai./ albeu.com