Kryebashkiaku i Tropojës, Rexhë Byberi dhe zv.kryetari Abedin Kërnaja, do të gjykohen me procedurë të zakonshme.
Gjyqtarja e themelit Atalanta Zeqiraj, konstatoi se të pandehurit për shpërdorim detyre nuk kishin bërë kërkesë për gjykim të shkurtuar në seancë paraprake.
Prokurori Elvin Gokaj, lexoi kërkesën për gjykim dhe i mëshoi një ekspertimi që është kryer në zbatim edhe të detyrave të lëna nga gjykata, ku është konstatuar dëmi ekonomik.
Prokurori i SPAK, kërkoi të thirren në proces 10 dëshmitarë, si dhe bëri me dije emrat që janë pyetur gjatë kësaj kohe në cilësinë e personave që kanë dijeni.
Gjykata bëri edhe verifikimin e të pandehurve dhe gjeneraliteteve, ku kryebashkiaku i Tropojës, u shpreh se jo vetëm që nuk është i dënuar më parë, por s’ka marrë një vërejtje në 35 vite punë.
Kryebashkiaku dhe zv/kryetari i bashkisë Tropojë, akuzohen për “shpërdorim detyre” kryer në bashkëpunim lidhur me ndërtimin e disa rrugëve në kundërshtim me aktet ligjore në fuqi.
Prokuroria vlerëson se hapja e rrugëve sipas projekteve të miratuara nga Këshilli Bashkiak, është bërë në kundërshtim me aktet ligjore e nënligjore në fuqi duke sjellë një dëm prej 277 milionë lekësh.
