Akuzohet për krime lufte, del para Gjykatës ushtari i parë rus (FOTO LAJM)

Ka dalë para Gjykatës ushtari i parë rus, i akuzuar për krime lufte në Ukrainë.

Lajmin e bëri të ditur zyra e Prokurorit të Përgjithshëm të Ukrainës, e cila ka bërë me dije se për herë të parë një ushtar rus do të dalë në gjyq për vdekjen e një 62-vjeçari në rajonin Sumy të Ukrainës.

Sipas një deklarate, kjo Zyrë sqaroi se ka ngritur një aktakuzë kundër Vadim Shishimarin, komandant i njësisë ushtarake 32010 të Divizionit të 4-të të Tankeve Kantemirov të rajonit të Moskës.

Autoritetet hetuese pretendojnë se 21-vjeçari rus vrau një banor 62-vjeçar të paarmatosur, i cili po ngiste një biçikletë përgjatë rrugës në fshatin Chupakhivka në rajonin Sumy më 28 shkurt.

Sipas deklaratës, forcat ruse hynë në fshat me një makinë të vjedhur me rrota të shpuara.

Gjatë rrugës, ata panë një burrë që kthehej në shtëpi dhe po fliste në telefon. Një nga rusët urdhëroi një rreshter të vriste një civil në mënyrë që ai të mos i raportonte ushtrisë ukrainase. Shishimarin qëlloi disa herë nga dritarja e hapur e një makine me një kallashnikov në kokën e banorit, pretendojnë prokurorët.

“Shishimarin është aktualisht në paraburgim. Prokurorët dhe hetuesit e SBU kanë mbledhur prova të mjaftueshme për përfshirjen e tij në shkeljen e ligjeve dhe zakoneve të luftës, të kombinuara me vrasje me paramendim (Pjesa 2 e nenit 438 të Kodit Penal të Ukrainës). Ai përballet me 10 dhe 15 vjet burg ose burgim të përjetshëm”, tha prokurorja e përgjithshme e Ukrainës, Iryna Venediktova në një deklaratë në Facebook.