Saimir Kuçi, i dyshuar si truri i grabitjes së biznesmenit Nazmi Çangu në Nikël të Krujës, është gjetur pa shenja jete në banesën e tij, konfirmojnë burime për Gazetën Panorama.
37-vjeçari është gjetur i varur nga familjarët e tij, të cilët kanë njoftuar edhe policinë.
“Më datë 20.03.2022, në rrugën “Petro Marko” në Yzberisht, është gjetur nga familjarët e tij i pajetë në banesë, dyshohet i vetëvarur, shtetasi S. K., 37 vjeç.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes”, informojnë blutë e Tiranës.
Anëtari i grupit “Hijet e Natës” ndodhej nën masën e arrest shtëpie në banesën në Yzberisht, pasi gjykata e Apelit të Tiranës e liroi nga burgu në dhjetor të vitit të kaluar.
“U vendos ndryshimi i vendimit Nr.370, datë 10.11.2021 të Gjykates së Rrethit Gjyqësor Kruje duke caktuar si masë sigurimi ndaj personit nën hetim S.K atë të “Arrest në Shtëpi”, parashikuar nga neni 237 K.Pr.Penale. Urdhërohet qëndrimi i personit nën hetim S. K në ambientet e banimit në adresën: Rr. “…..”, Tirane. Urdhërohet lirimi i menjëhershëm i personit nën hetim S.K, nëse nuk mbahet për ndonjë vepër tjetër penale”, thuhej në vendimin e Apelit të Tiranës.
Saimir Kuçi u arrestua në nëntor, rreth 2 javë pas grabitjes me dhunë dhe nën kërcënimin e armës të biznesmenit Çangu.
Sipas grupit të hetimit Saimir Kuçi, u identifikua “nëpërmjet ADN-së së fijeve të flokut të gjetura në kapelën që Policia sekuestroi në vilën trekatëshe, si dhe me anë të provave të tjera të mbledhura aty”.
Në seancat gjyqësore ndaj tij, Kuçi mësohet se i ka mohuar akuzat e ngritura duke deklaruar se nuk ka lidhje me ngjarjen.
Ndërsa u raportua se organizatori i dyshuar i grabitjes, ishte Artan Prenga, i cili është shpallur në kërkim.
Nga kamerat e sigurisë në banesën e Nazmi Çangut rezulton se autorët kanë qenë më shumë se 6 persona dhe gjatë kohës që kryen grabitjen flisnin me kufje me njëri-tjetrin. Të njëjtën deklaratë ka bërë edhe vajza e biznesmenit, e cila ka dëshuar se grabitësit i koordinonte dikush nga jashtë.