Policia vijon me aksionin kundër lojërave të fatit dhe për pasojë ka arrestuar 5 shtetas, ka proceduar 3 klientë dhe ka shpallur në kërkim dy pronarë dhe një administrator lokali.
“Bazuar në informacionet e marra në rrugë operative për ushtrimin dhe organizmin e lotarive dhe basteve sportive pa leje, vënien në dispozicion të lokaleve për lojëra fati dhe fshehjen e të ardhurave, shërbimet e Seksionit të Krimit Ekonomik dhe Financiar dhe shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr.1, kanë ushtruar kontrolle të vazhdueshme në disa lokale dhe ambiente të ndryshme.
Si rezultat i kontrolleve të ushtruara në vijim dhe të operacionit “Fati i lojërave”, shërbimet e Policisë kanë goditur 3 raste të tjera, në vende dhe kohë të ndryshme, konkretisht:
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar bënë arrestimin në flagrancë të shtetasve E. A., 19 vjeç dhe A. H., 18 vjeç (punonjës të lokalit), proceduan në gjendje të lirë 2 klientë të kapur në flagrancë, si dhe shpallën në kërkim pronarin e lokalit, pasi në Kombinat, u konstatuan duke ushtruar aktivitetin e kundërligjshëm të lojërave të fatit. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 120.000 lekë të rinj, 5 njësi kompjuterike, 4 aparate celular dhe dy dekodera që shërbejnë për piratimin (vjedhjen) e sinjaleve televizive.
Ndërkohë, specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr.1 bënë arrestimin e shtetasve L. Xh., 27 vjeç dhe K. B., 28 vjeç (kamarierë në një lokal) dhe shpallën në kërkim pronarin dhe administratorin e lokalit, pasi në rrugën “Petro Nini Luarasi” u konstatuan duke ushtruar aktivitetin e kundërligjshëm të lojërave të fatit nëpërmjet celularëve. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 5 aparate celular, 900.000 lekë të rinj dhe 2975 euro (të dyshuara të përfituara nga kjo veprimtari e kundërligjshme);
Gjithashtu, shërbimet e Policisë arrestuan në flagrancë shtetasin A. G., 37 vjeç dhe proceduan penalisht në gjendje të lirë shtetasin Sh. H., 39 vjeç, pasi në rrugën “Pasho Hysa”, gjatë kontrollit të ushtruar në ambientin e marrë me qira prej tij, u gjetën dhe u sekuestruan 5 njësi kompjuterike, 8 monitorë dhe 7 aparate celular, që dyshohet se përdoreshin për lotari të palejuara.
Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme”, thuhet në njofitmin e policisë./albeu.com