Aksioni i PSD-së te Qeveria përfundon me arrestime e përplasje me policët (VIDEO)

Pesë aktivistë të Partisë Socialdemokrate janë arrestuar pas aksionit që të njëjtët kanë pasur tek Qeveria e Kosovës. Arrestimi i tyre ndodhi pasi aktivistë të kësaj partie kanë hedhur ngjyrë të kuqe dhe kanë shkruar “Gjakderdhja financiare” në objektin e qeverisë.

Arrestimi i aktivistëve të PSD-së u shoqërua me përplasje me zyrtarët policor, ku këta të fundit kanë përdorur edhe gaz lotsjellës në drejtim të tyre.

Zëdhënësja e PSD-së, Natyra Kuçi, ka konfirmuar për KosovaPress se të arrestuar janë Frashër Krasniqi, Qëndrim Sahiti, Zgjim Hyseni, Nol Nushi dhe Agron Kabashi.

Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj, paraprakisht u deklarua për aksionin, ku tha se vetëm me një vendim të qeverisë dhe të Kuvendit janë paguar 11 milionë euro nga buxheti i Kosovës në drejtim të veriut të vendit.

Molliqaj tha se në momentin që Kurti ka pranuar ta vazhdojë dialogun me Serbinë por edhe pagesa tash janë dëshmi se edhe kjo qeveri do të jetë avaz i qeverive të kaluara.

“Qeveria Kurti I dhe II e pati nisur me një dramacitet të theksuar çështjen e asaj që e quante ‘gjakderdhje financiare’, pra për humbjet e mëdha financiare që shkaktoheshin nga keqpërdorimet, keqmenaxhimet dhe vjedhjet. Ajo që ne sot kemi demonstruar këtu është që e gjithë ajo fushatë dramatike për nevoja të tyre kryesisht populiste ka ra poshtë, për shkak se vetëm me një vendim të qeverisë dhe të Kuvendit të Kosovës ne kemi paguar 11 milionë euro nga buxheti i Kosovës, që janë taksa të qytetarëve të Kosovës, në drejtim të veriut të Kosovës. Nuk është problemi vetëm se ata janë qytetarë serbë, problemi është diku tjetër, e para dyfish më të lartë e kanë standardin qytetarët që jetojnë në veri të Kosovës sesa ata në jug dhe e dyta, është që në veri është duke u bërë krim. Atje tashmë është gjë edhe publike edhe nga institucionet se ka një krim të organizuar, i cili është duke e rritur dhe e trashur pasurinë e tyre përmes shfrytëzimit të energjisë që e paguajnë qytetarët e Republikës së Kosovës”, tha Molliqaj.

Kreu i PSD-së tha se Lëvizja Vetëvendosje ka ndërruar para ardhjes në pushtet, e kjo sipas tij, është edhe arsyeja e ndarjes.

“Vetëvendosje ka ndërruar para se të vijë në pushtet dhe kjo ka qenë pika për të cilën ne jemi ndarë. Shumë njerëz kanë besuar që ne jemi ndarë për çfarëdo arsye të tjera, por nuk i kanë besuar akuzave tona. Ne e kemi thënë që ka ndërruar qasjen për bashkim, ne kemi thënë që e ka ndërruar qasjen për dialogun, ne kemi thënë që e ka ndërruar qasjen për secilin fenomen më herët, por njerëzit nuk e kanë kuptuar këtë. Tani po mendojnë që ndërrimi i Kurtit është ndërrim veç pse ka ardhur në pushtet, nuk është e vërtetë, ju lutem kthejuni deklarimeve tona, qëndrimeve tona dhe e vëreni që ndërrimi ka ndodhur më herët dhe ndërrimi ka ndodhur jo karakterial po politik. Kështu, kur ka ndërruar politikisht Kurti ka qenë e pashmangshme ndarja e VV-së dhe rrjedhimisht kanë qenë të pashmangshme të gjitha veprimet që sot Kurti po i bënë e që nuk dallojnë nga të tjerët”, tha ai.

Molliqaj i ka quajtur të papranueshme edhe deklarimet e ministres së Jashtme dhe të Diasporës, Donika Gërvalla, për çka tha se qëndrimi i saj në krye të këtij dikasteri është vazhdim i luftës kundër UÇK-së.

“Është e qartë që ka një pa durueshmëri edhe fizike e jo më vetëm politike ndaj UÇK-së, kështu që vazhdimi i saj në atë institucion është vazhdim i cili vazhdon luftën kundër UÇK-së”, tha ai.

 


Shtuar 7.05.2021 16:34