Aksion nga ajri dhe toka për neutralizimin e flakëve në Borsh, Piqeras dhe Sasaj, evakuohen 40 persona

Prej ditës së djeshme, zjarret që kanë përfshirë zonat e Borshit, Piqerasit dhe Sasajt, janë bërë shqetësim serioz për banorët dhe pushuesit, pasi flakët, të nxitura nga era e fortë, kanë avancuar me shpejtësi drejt zonave të banuara dhe bizneseve të vijës bregdetare.

Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, ka njoftuar se në orët e para të mëngjesit të sotëm, ka rinisur aksioni nga ajri me dy helikopterë të Forcës Ajrore, të cilët po operojnë intensivisht për të neutralizuar vatrat aktive.

Sipas autoriteteve, ndërhyrja ajrore është thelbësore për shkak të terrenit të vështirë dhe rrezikut të shtuar në zonat e banimit.

 

 

Postimi i ministrit te Mbrojtjes:

Në #Borsh, #Piqeras dhe #Sasaj ka rinisur aksioni nga ajri me dy helikopterë të Forcës Ajrore🚁 për të neutralizuar zjarret që kanë kërcënuar banesat dhe bizneset e zonës për shkak të erës së fortë që favorizoi përhapjen e shpejtë të flakëve gjatë orëve të para të mëngjesit.

👮‍♂️🚑 Teksa zjarrëfikësit dhe Forcat e Armatosura të stacionuara në Borsh gjatë natës siguruan perimetra sigurie përreth banesave, Policia e shtetit dhe punonjësit e emergjencave civile ndihmuan banorë dhe pushues të evakuohen nga zonat më të rrezikuara, duke shoqëruar drejt sigurisë 40 prej tyre.

⏱️ Zjarrfikësit e Himarës dhe Forcat e Armatosura vijojnë operacionin në terren duke bashkërenduar me ekuipazhet e helikopterëve për të eliminuar çdo rrezik 🧑‍🧑‍🧒‍🧒.


Shtuar 27.07.2025 08:01