Aksident tragjik në Palasë/ Automjeti u përplas me bordurën anësore, ndërron jetë 9-vjeçari, arrestohet shoferi. Ishte i dehur në timon

Një aksident i rëndë rrugor ka ndodhur mbrëmjen e datës 24 korrik, rreth orës 23:10, në aksin Palasë–Dhërmi, ku si pasojë ka humbur jetën një fëmijë 9-vjeçar dhe është plagosur një tjetër pasagjer.

Sipas informacionit zyrtar të Policisë së Vlorës, Specialistët e Seksionit të Trafikut Urban dhe Interurban në DVP Vlorë arrestuan në flagrancë shtetasin M. K., 36 vjeç, banues në Librazhd, për veprën penale “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”.

“Specialistët e Seksionit të Trafikut Urban dhe Interurban në DVP Vlorë arrestuan në flagrancë, për veprën penale “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”, shtetasin M. K., 36 vjeç, banues në Librazhd, pasi më datë 24.07.2025, rreth orës 23:10, në aksin rrugor Palasë–Dhërmi, duke drejtuar automjetin në gjendje të dehur, dyshohet se ka humbur kontrollin mbi drejtimin e mjetit dhe është përplasur me bordurën anësore të rrugës.

Si pasojë e aksidentit, ka humbur jetën në vendngjarje njëri prej pasagjerëve, një i mitur 9 vjeç. Gjithashtu, është dëmtuar pasagjeri tjetër, shtetasi E. A., 20 vjeç, i cili ndodhet në Spitalin e Traumës, nën kujdesin e mjekëve. Materialet iu referuan Prokurorisë për veprime të mëtejshme”,thuhet në njoftimin e policisë.


Shtuar 25.07.2025 09:13