Disa herë emisioni “Stop” ka trajtuar problematika, që lidhen me Agjencitë e Punësimit, të cilat pasi u marrin paratë qytetarëve, pa u ofruar shërbimin e premtuar.
E tillë është edhe “Viza Travel Agjensi” me administrator, Hamëz Bytyqi. Anselmo Karaj, tregoi se në vitin 2019 pa një njoftim në Facebook në këtë agjenci, që atëherë quhej “Punësohu.Eu”.
Agjencia ndodhej në Kosovë, pastaj u mbyll atje dhe operon në Shqipëri, Rinas dhe Durrës.
Fillimisht Anselmo pagoi 200 Euro, pastaj 500 euro të tjera për punësim të rregullt në Gjermani. Ndërsa priste takimin në ambasadë, agjencia vetëm i shtynte afatet.
Por kanë kaluar 3 vjet dhe agjencia nuk ka siguruar as dërgimin e qytetarit në Gjermani dhe as i kthen paratë.
“Stop” foli me administratorin Hamëz Bytyqi, i cili pasi u njoh me problematikën, premtoi t’i kthente qytetarit paratë në llogari brenda pak ditësh.
“Javën që vjen e kam autorizuar kontabilistin tonë me aktivizu. Po pra i njëjti pronar jam e nderuar. Përsa i përket rastit të këtij, ky llogaritet rast i mbyllur. Të hënën merr lekët. Ideja është që ne kemi pas disa mosmarrëveshje me atë që ka pas administrator, që ka bashkëpunuar. Tani të dy kanë shkuar në Gjermani dhe më ka mbetur barra mua. Këtij i kthehen 500 Euro, shuma e fundit e paguar. Në marrëveshje shkruhet nëse nuk sigurohet se ka qenë problemi tek datat për takimin e nderume. Nëse ambasada nuk ia cakton ditën për takim do t’i kthehet shuma e fundit e paguar”, tha Bytyqi.
“Stop” kontakton me qytetarin dhe këmbëngul deri në kalimin e shumës së premtuar.
“Falë emisionit “Stop” kjo gjë më në fund u zgjidh”, tha denoncuesi.