Mediat më të mëdha ndërkombëtare, kanë nisur të raportojnë për vdekjen e gjeniut të letrave shqipe, Ismail Kadare.
Agjencia e madhe franceze, AFP, shkruan se Ismail Kadare ishte një dritë e shndritshme në ditët më të errëta të Shqipërisë.
“Romancieri Ismail Kadare, i cili ndërroi jetë në moshën 88-vjeçare, përdori penën e tij si një armë të fshehtë për t’i mbijetuar diktatorit komunist paranojak të Shqipërisë, Enver Hoxha.
Tregimi i tij i sofistikuar-shpesh i krahasuar me atë të George Orwell ose Franz Kafka-përdorte metaforën dhe ironinë për të zbuluar natyrën e tiranisë nën Hoxhën, i cili sundoi Shqipërinë nga viti 1946 deri në vdekjen e tij në 1985″, shkruan agjencia.
“Kohët e errëta sjellin surpriza të pakëndshme, por të bukura”, pati deklaruar Kadare për AFP.
“Letërsia shpesh ka prodhuar vepra madhështore në epokat e errëta, sikur të kërkonte të korrigjonte fatkeqësinë e shkaktuar mbi njerëzit“, tha ai.
“Romanet, esetë dhe poezitë e Kadaresë janë përkthyer në më shumë se 40 gjuhë, duke e bërë atë romancierin më të njohur modern të Ballkanit“, thekson agjencia e njohur.