I lindur në periudhën e luftës afgano-sovjetike, Jawed Ahmad Haqmal ka humbur pesë familjarë në konfliktin e viteve 1979–1989, i cili e ka kthyer vendlindjen e tij në një vend të rrënuar.
Mirëpo tani, ish-përkthyesi 33-vjeçar për ushtrinë kanadeze në Afganistan, është i tmerruar nga mundësia e pushtimit rus në Ukrainë.
Në këtë shtet, Haqmal, gruaja e tij, katër fëmijët dhe gjashtë familjarë tjerë, janë bllokuar prej kur talibanët kanë marrë pushtetin e Afganistanit në muajin gusht.
Duke marrë parasysh paralajmërimet e fundit të Shtëpisë së Bardhë se presidenti rus, Vladimir Putin mund ta pushtojë Ukrainën, Haqmal është i shqetësuar për fatin e tij, për shkak të punës që ka bërë për NATO-n në vendlindjen e tij.
Haqmal ka thënë për Radion Evropa e Lirë nga një hotel në qendër të Kievit se ai është duke pritur përgjigjen e autoriteteve kanadeze të imigrimit për ta lënë atë dhe familjen e tij që të hyjnë në këtë shtet, pasi është i shqetësuar si mund ta shohin atë rusët – nëse pushtojnë Ukrainën – për shkak të lidhjeve të tij në aleancën transatlantike të sigurisë.
Ai ka treguar dokumente që dëshmojnë se atij i është miratuar kërkesa për imigrim dhe se procedurat burokratike janë duke ia pamundësuar marrjen e dokumenteve që i duhen.
“Nuk ka shqetësime për sigurinë (për mua apo familjen time).. ata vetëm se nuk kanë më shumë kapacitet për të procesuar këtë rast”, ka thënë Haqmal, në dhomën e tij të hotelit që mbante erëza afgane dhe çaj shafrani.
Zyrtarë nga Ambasada kanadeze në Kiev dhe Abu Dabi, ku ka nisur të analizohet aplikacioni i tij, kanë refuzuar të komentojnë situatën e tij.
“Akti Kanadez i Privatësisë siguron mbrojtje për të dhënat personale që janë mbledhur nga Qeveria e Kanadasë”, ka thënë ambasada në një përgjigje me shkrim për Radion Evropa e Lirë.
E gjitha që ka mbetur për familjen është të presë e dëshpëruar, ndërkohë që Ambasada e Kanadasë evakuon stafin dhe shtetasit e vet, duke përfshirë instruktorë ushtarakë që kanë trajtuar mijëra ushtarë ukrainas.
Mirëpo Haqmal nuk është në mesin e atyre që janë evakuuar.
“Me duket se familja ime nuk po trajtohet në mënyrë njerëzore sepse askujt nuk po i intereson për ne”, ka thënë ai.
Pas rënies së Kabulit, Kanadaja është zotuar se do të pranojë 40,000 afganë, mirëpo Qeveria e kryeministrit kanadez, Justin Trudeau ka lejuar më pak se 7,000 persona të hyjnë në këtë shtet.
Familja Haqmal është larguar nga Kandahari në muajin maj dhe ka jetuar pesë muaj në Kabul, ku është pajisur me viza urgjente kanadeze.
Mirëpo kanadezët që atëbotë ishin duke u larguar, nuk kanë mundur ta evakuojnë familjen e tij.
Haqmal dhe familja e tij janë larguar me një aeroplan ushtarak ukrainas më 28 gusht, në periudhën e sulmeve terroriste në aeroport dhe kanë marrë viza humanitare 15-ditore për të qëndruar në Ukrainë.
Këtyre vizave u ka kaluar afati tash e një kohë.
Haqmal dhe dy vëllezërit e tij largohen nga hoteli – që paguhet nga Globe and Mail, një gazetë kanadeze – vetëm në orët e vona, pasi frikësohen se zyrtarët policorë mund t’i kontrollojnë dhe më pas t’i ndalojnë apo dëbojnë në Afganistan.Fëmijët e Haqmal, të moshave 2-10 vjeç, nuk kanë rroba të dimrit dhe nuk mund të luajnë jashtë.
Gruaja e tij, Waranga, është në muajin e pestë të shtatzënisë, derisa motra dhe kunata e tij vuajnë nga tuberkulozi.
Ai ka përdorur kursimet e pakta, nuk ka leje pune dhe mbijetesa e tij dhe familjet varet nga donacionet.
“Një përkthyes për Kanadanë është kthyer në lypës”, ka thënë Haqamal me keqardhje.
Ai ka thënë se e gjithë familja kalon ditët dhe netët në tri dhoma të vogla.
“Secili është i brengosur, secilin është duke e çmendur mundësia e luftës”, ka thënë ai.
Pranë hotelit ku qëndron Haqmal, shihen këmbësorë afër Sheshit të Pavarësisë, ku protestat e dhunshme kanë detyruar presidentin pro-Moskës, Viktor Yanukovych të ikë në Rusi më 2014.
Kryengritja, e njohur në Ukrainë si Revolucioni i Dinjitetit, pati krijuar vakum të pushtetit, të cilin Moska e ka shfrytëzuar për të pushtuar ilegalisht dhe për të aneksuar Gadishullin e Krimesë, dhe për të mbështetur separatistët në rajonin Donbas.
Si pasojë e kësaj lufte kanë vdekur më shumë se 13,200 persona dhe janë shpërngulur miliona tjerë.
Kremlini ka hedhur poshtë kritikat se ka dorë në konfliktin që e konsideron luftë civile, pavarësisht të dhënave për përfshirjen e Moskës.
Në muajt e fundit, Moska ka mbledhur më shumë se 130,000 persona afër kufirit Rusi-Ukrainë, në Krimenë e pushtuar dhe në Bjellorusinë miqësore me Moskën.
Haqmal e di shumë mirë sesi një pushtim rus mund të ndryshojë një shtet.
I rritur në Kandahar, qytetin e dytë më të madh të Afganistanit, në të cilin dikur ka pasur kontingjent të madh të trupave sovjetike, është dëshmitar i luftës civile që ka përfunduar me pushtimin e parë të talibanëve në Afganistan.
Kandahari ka qenë kryeqyteti i talibanëve në vitet 1990 dhe grupi terrorist, Al-Kaida ka krijuar një prej kampeve më të mëdha të trajtimit, Al-Faruq, afër qytetit.
Kur trupat amerikane dhe ato të NATO-s kanë pushtuar Afganistanin më 2001 – duke i dhënë fund regjimit taliban – Haqmal është bërë përkthyes.
Mirëpo detyrat e tij kanë qenë më të rëndësishme sesa përkthimi.
“Ai ka qenë këshilltar kulture”, ka thënë për Radion Evropa e Lirë, Jeremie Verville, komandant toge që ka kryer operacione kundër kryengritjes në Kandahar në vitin 2009.
“Ne nuk i kemi ditur detajet dhe as kulturën, prandaj ai ka qenë në gjendje të na udhëzojë në situata të ndryshme që mund të kishin përshkallëzuar, nëse nuk do t’i dinim të gjitha informacionet”, ka thënë ai.
Haqmal ka deshifruar edhe fraza të koduara që kanë përdorur talibanët në radio për të sulmuar ushtarët e NATO-s.Ai ka thënë se Haqmal ka shpëtuar jetët e ushtarëve kanadezë në disa raste, përfshirë një herë kur ka imituar një komandat taliban gjatë një bisede në radio, për të shmangur një sulm ndaj forcave kanadeze.
Të gjitha këto histori duket se nuk kanë më rëndësi për Kanadanë tani, ka thënë Haqmal.
“Ata vetëm na kanë shfrytëzuar dhe tani na kanë harruar”, ka thënë ai.
“Jam plotësisht i thyer. Nuk më ka mbetur më shpresë”. /REL