Afera e Portit të Durrësit/ Arben Ahmetaj: Kam qenë kundër formulës që zgjodhi Edi Rama

Gjatë intervistës ekskluzive në ‘Çim Peka LIVE’ në SYRI TV, ish-zv/kryeministri Arben Ahmetaj ka folur edhe për aferën e portit të Durrësit.

Ndërsa shprehet se nuk është kundër zhvillimit të kësaj zone, Ahmetaj shprehet se nuk do të kishte zgjedhur formulën që ka zgjedhur Edi Rama, por tjetër.

Pjesë nga intervista:

Çim Peka: Buka në Dubai, sepse pastaj do të vijmë edhe te buka në Tiranë. Ajo çfarë ndodhi me Portin e Durrësit. A është aferë?

Arben Ahmetaj: Nuk do ta quaja aferë që të jem i sinqertë. Alabari nuk pastron paratë e askujt në dijeninë time. Është një person dinjitoz dhe biznesmen shumë i suksesshëm. A duhet të zhvillohet ajo zonë, unë mendoj se po. Si është formula e zhvillimit, për hir të vërtetës do të kisha zgjedhur një formulë tjetër të pjesëmarrjes së qeverisë aty që do t’i garantonte fitim taksapaguesve shqiptarë. Dhe kur bëhet llogaria do sjelli 10 miliardë, 5 apo, nuk gjykohet kështu se sa sjell TVSH në buxhet. Do të kisha zgjedhur një formulë tjetër. Debati cila formulë duhet është debat tjetër.

Çim Peka: Jo se kjo është për t’ju shmangur. Do të kishit zgjedhur një formulë që shteti do të dilte i fituar.

Arben Ahmetaj: Unë mendoj, por unë mund të mos kem të drejtë. Unë besoj se duke zgjedhur një formulë tjetër të cilën e kam sugjeruar dikur, por sigurisht që peshohen formulat. Ndoshta kjo ishte edhe arsyeja pse nuk isha pjesë e grupit negociator. Unë mendoj se ajo zonë duhet zhvilluar. Unë mendoj se Alabari është biznesmen serioz dhe nuk përfshihet në pastrim parash.

Çim Peka: Është një biznesmen serioz dhe merr një pronë që kushton së paku 3 miliardë euro dhe vetë premton të investojë 70 deri në 150 mln euro, me kredi, të gjitha të tjerat do të investohen nga shitja e pronave që do të ndërtohen aty. Kush nuk e bën këtë. Këtë e bëj dhe unë, dhe ju thoni se është një burrë serioz. Nëse ju më thoni se është burrë serioz, atëherë publiku dhe unë mendojmë se ju shqetësoheni vetëm kur ju bëhet ju padrejtësi.

Arben Ahmetaj: Historia ime dhe ata që janë brenda aty, e dinë që unë në përgjithësi jam njeri i qetë në pamje dhe perpetum brenda vetes në lëvizje. E dinë që unë preferoj ta them atë që mendoj dhe ndoshta kjo më ka dëmtuar. Ndoshta gjithë ky zell për të folur atë që mendoj, më ka dëmtuar, mendoj. Por unë kam folur dhe kam ngulur dhe këmbë. Siç e ke parë dhe në letra. Në 4 letra rresht. Edhe për sterilizimin, që duhej ti vihej tavan, janë letrat atje në 2018, mund dhe ti kenë hequr, nuk e di. Debati për fondin e rimbursimeve, kam kërkuar që ti vihet tavan se duhet transparencë e vazhdueshme se ku shkojnë paratë. Që te koncesioni i TVSH, pse nuk u bë. E mban mend kur më akuzonte Sala se do ta bëjë, pse nuk u bë.

Çim Peka: E ndaluat ju…

Arben Ahmetaj: Unë personalisht kam qenë kundër koncesionit të TVSH.

Çim Peka: Dhe kryeministri ishte pro.

Arben Ahmetaj: Në fund ra dakord që nuk duhej bërë.

Çim Peka: Ekoparku…

Arben Ahmetaj: Çfarë është ekoparku, për çfarë po më pyet.

Çim Peka: Duhej bërë apo jo, në Durrës.

Arben Ahmetaj: Investimi. Unë mendoj se duhej bërë. Sigurisht, por ju si gazetar e keni hetuar. Se këtu janë përmendur në dosjen time 350 emra, me kë ka pirë kafe etj. E keni hetuar çfarë ka ndodhur. Cilët janë gurët kilometrikë të këtij investimi. E kisha harruar fare. Pse një privat ka bërë përpara se të shpallej nga kryeministri, këtë projekt. Pse në këtë projekt është një nga njerëzit e afërt të kryeministrit. Pse nuk e ka bërë institucioni publik, pse u shpall më pas, në fillim u bë si projekt privat dhe pastaj u shpall publikisht dhe e morën njerëz të lidhur me atë që kishin bërë projektin.

Çim Peka: Me familjarë të kryeministrit …

Arben Ahmetaj: E morën zbatimin e projektit ata që e kishin bërë. Pse u bë pa tender. Pse nuk u nxor një urdhër për rindërtimin, njerëzit ishin jashtë, që të bëheshin pa tender, pse. A kishte më emergjencë? Jo. Pse plehrat dhe ekoparku duheshin bërë pa tender. Pse budalla ka qenë Alqi Bllako që nuk e firmosi.

Çim Peka: Budalla nuk është t’ja paguash babain 10 milionë …

Arben Ahmetaj: Më pyete për ekoparkun, ndërkohë që në rrethin tim miqësor janë masakruar të gjithë. Shokë fëmijërie. Familja e Eriolës i ka shitur një shoku tim të fëmijërisë shtëpinë. E di ti që SPAK donte t’i merrte çarçafët dhe t’i bënte analizat nëse kisha fjetur unë aty apo jo, ndërkohë që ata kishin muaj e muaj që jetonin. Një prokuror i ka falur një shtëpi një organizatë fetare, a dyshohet ky prokuror për pastrim parash.

Çim Peka: Jeni konkret, flisni me emra. Ky prokuror është Altin Dumani, që ka marrë dhuratë shtëpinë e tij nga një organizatë fetare.

Arben Ahmetaj: Nuk e di, ma thanë. Ky duhet parë. Po ky tjetri që ka të njëjtën vilë me gjysmën e çmimit, që e ka blerë familja e Eriolës. A duhet parë…

Çim Peka: Arben Kraja …

Arben Ahmetaj: Nuk e di. Këta janë turrur kundër meje. I ka turrur Edi Rama kundër meje. Këtë fjalë doje që të thosha. Unë këtë fjalë e kam pasur këtu, që ditën e parë. E kam thënë tek ‘Opinion’, por nuk isha i bindur.

Çim Peka: Tani jeni i bindur…

Arben Ahmetaj: Përtej bindjes. Është nxjerrje në pritë. Siç nxirreshin në pritë nga tradhtarët njerëz të caktuar ashtu jam nxjerrë dhe unë në pritë. Është bërë presion ndaj prokurorëve që të lëshonin dosjet se dyshohej se ky po, pse çfarë do të bëjë robi që është i drejtë me drejtësinë, do të sajojë akuza. E di ti që një nga akuzat për korrupsion, një nga dyshimet e di cila është?

Çim Peka: Cila është…

Arben Ahmetaj: Që unë kam bërë rialokime si ministër financash. Ejjj a je jurist. E di si bëhet procedura e alokimit dhe rialokimit. E kërkon departamenti i financës, apo i rrugëve, shkon te ministria e linjës, kjo ministri e gjykon në departamentin e vet të buxhetit. Bindet ministri i linjës, e dërgon tek financat, ku e merr departamenti i fiskut, ai i buxhetit, sekretarja e përgjithshme dhe e firmos ministri. Është proces rialokimi, ka ligje se si bëhet.

Çim Peka: Të njëjtin argument dha dhe Edi Rama në komision hetimor, ka struktura që i bëjnë gati dhe unë vetëm firmos…

Arben Ahmetaj: Pse këtu Robespieri praktikisht thotë se këtu është korrupsion. I bie që të marrë këdo nga ministrat. Është tmerr do të thotë të kalosh në statistikë penale, dhe në populizëm total penal. Kjo është akuza për korrupsion. Te dosja Nikson-Pipadi, unë u detyrova të merrja një kompani shumë prestigjioze amerikane. Më thanë do shohim të vërtetën. U thashë se dua një raport të pavarur. Atë dosje unë ua kam dërguar ambasadave, kryetares së Kuvendit, Artur Metanit, si kryetar i ILD-së. Zero përgjigje. A e di ti Çim Peka se avokatëve të mi, një dosje 320 faqe, voluminoze siç e quajti kryeministri, që nuk e ka lexuar kurrë, nuk e lexuan kolegët e mi, që kanë ngrënë në një tas me mua.

Çim Peka: Si do ta lexonin kolegët e tu që kanë ngrënë në një tas me ty, kur shefi i tyre kishte thënë se Arben Ahmetaj kishte ngrënë dardha pas shpine.

Arben Ahmetaj: Më fal, që këta të vërtetonin që unë kisha ngrënë dardha e mollë, apo kisha ngatërruar pjeshka aty rrotull, duhet të lexonin dosjen. Atje ka deputetë të nderuar që nuk i bënë nder vetes dhe i lanë vetëm 17 orë. Pse, sepse duhej arrestuar Arben Ahmetaj.

Çim Peka: Raportit tuaj politik edhe miqësor me ta prej dekadash, ju bën nder. Po kërkoni dinjitet tek një formacion politik që ju e pranoni apo është kthyer në bandë kriminale dhe ka vetëm një individ që e drejton dhe vendos, emëron dhe shkarkon dhe ata që nuk i pëlqejnë më i çon në të s’ëmës.

Arben Ahmetaj: Unë nuk kërkoja të më votonin apo jo, kolegët e mi. Unë kërkoja që t’i jepej e drejta asaj dosje të lexohej 320 faqe budallalliqe. Një dosje ku thotë se nuk ka marrë pjesë në procedurë, nuk ka firmosur, dyshohet se është një nga njerëzit kryesore të inceneratorevë. Po si, me frymën e shenjtë. Nuk kam firmosur, nuk ka marrë pjesë në procedurë. Janë habitur këta të studios Nikson-Pipadi dhe më pyesnin ndonjëherë a është kjo dosja. Korrupsioni ka definicion ndërkombëtar të njëjtë. Korrupsioni është të jap dhe më jep. Nuk të kam dhënë dhe nuk më ke dhënë. Nuk kam pasur pozicion zyrtar.