Afera e inceneratorëve, Rama: Nuk jemi në komunizëm, ku fajtori shpallet nëpër mikrofona e sakatohen njerëz në tribuna

Kryeministri Edi Rama komentoi kërkesën e SPAK për arrestimin e deputetit socialist Alqi Bllako.

Përmes një deklarate për mediat nga selia e PS, Rama u shpreh se përgjegjësia nuk është kolektive, por personale.

Sipas Ramës, gjithsecili që kryen vepër penale duhet të shkojë në burg, por këtë sipas tij nuk mund ta bëjë ai por drejtësia.

“Sot që flasim, përgjigja ime është si gjithmonë një përgjigje në parim.

Në rastin konkret dhe në të gjitha rastet këtë e cakton drejtësia.

Kjo ndodh në sistemin demokratik, ndërsa në komunizëm ose në diktaturë është ndryshe, bëhen gjyqe popullore dhe tribuna ku njerëzit sakatohen.

Sot është ndryshe, për shkak të kësaj shumice, sepse nuki ka mburoja për në rrugën e drejtësisë, por në rrugën ku shpallet fajtori nëpër mikrofona nuk jemi dakord.

Ajo që unë i them është kjo: sot është një Shqipëri tjetër dhe do të jetë përditë një Shqipëri tjetër.

Unë nuk i komentoj vendimet që merr SPAK, prokuroria e Gjykata sepse për mua mbi çdo gjë qëndron misioni se kjo rrugë duhet të vijojë përpara”, u shpreh Rama./albeu.com/


Shtuar 30.03.2022 18:56