Leli Kaja, administratori i eco-elb SHA, u arrestua pasi pranoi një zarf me 4 mln lekë të vjetra. Numrat serialë të kartëmonedhave ishin regjistruar më herët nga SPAK, ndërsa paratë dyshohet se iu kërkuan dhe iu dhanë zyrtarit të inceneratorit të Elbasanit në këmbim të mosveprimit të tij për një procedurë ligjore.
Hetimi zgjati katër ditë dhe nisi pas një referimi të Byrosë Kombëtare të Hetimit, e cila po kontrollon edhe marrëdhënie të tjera të dyshimta me operatorë ekonomikë. Në kuadër të operacionit u sekuestruan disa aparate celulare dhe dokumente të ndryshme.
Të lidhura
None found
Kaja e ushtron detyrën e administratorit të eco-elb SHA që prej tetorit të vitit 2022. Të enjten, ai pritet të paraqitet para Gjykatës së Posaçme për caktimin e masës së sigurisë.
Seanca pritet të zhvillohet në një situatë të veçantë, pasi avokatët kanë njoftuar bojkotimin e masave të sigurisë në GJKKO. Ata kanë tërhequr edhe listën e avokatëve kryesisht, të njohur ndryshe si avokatët e siguruar nga shteti.
