Acari në të gjithë vendin, meteorologia: Kur pritet të largohet i ftohti arktik dhe si do të mbyllet muaji janar

Vendi ynë prej mbrëmjes së djeshme, me ndalimin e reshjeve të shiut dhe të dëborës, është mbërthyer nga një i ftohtë ekstrem që ishte parashikuar nga sinoptikanët. Megjithatë kjo e sotmja nuk është dita më e ftohtë e këtij muaji, sipas meteorologes Lajda Porja, temperaturat minimale sot janë -10 gardë në zonat malore, ndërsa të martën, që pritet të jetë dita më e ftohtë, termometri zbret në vlerën -17 gradë.

“Menjëherë është ndjerë rënia e temperaturave ku zonat malore regjistrojnë -10 gradë, në zonat më të ulëta -5 gradë ndërsa Tirana ka arritur vlerën -2 gradë. Megjithëse moti do të jetë i kthjellët dhe dielli i pranishëm, pritet që temperaturat të pësojnë sërish ulje të hënë. Në mëngjesin e së hënës temperaturat do të jenë të ftohta, me kulmin ditën e martë, ku termometri zbret në vlerën -12 gradë në pjesën më të madhe të zonave malore dhe në disa zonat të thella të verilindjes dhe juglindjes termometri do të shënojë -17 gardë.  Ndërsa në zonat e ulëta do të ulen deri në -8 gradë”, tha ajo.

Moti këto ditë do të jetë i kthjellët, nuk pritet që të ketë reshje. Problematike do të jenë ngricat, duke qenë se zonat malore do të jenë përgjatë 24 orëshit me temperatura minus.

Meteorologia është shprehur se pas të martës, temperatura do të rriten lehtë dhe janari do të mbyllet pa reshje shiu, vetëm me pak flokë dëbore, dhe ftohtë. /albeu.com

*Për më shumë lajme nga moti na ndiqni https://albeu.com/moti/

Shtuar 22.01.2022 15:28