Abuzimi me fondet e IPARD, Soreca: Qeveria shqiptarë të veprojë seriozisht, ato janë paratë e taksapaguesve të BE

Ambasadori i Bashkimit Evropian në vendin tonë, Luigi Soreca  ka komentuar vendimin për të pezulluar fondet e BE për bujqësinë në Shqipëri.

Në një intervistë për Zerin e Amerikës, Soreca u shpreh se qeveria shqiptare duhet të veprojë shumë seriozisht, pasi ato janë para të taksapaguesve të vendeve të BE.

Sipas tij, ndërprerja e fondeve është bër për të mbrojtur interesat financiare të Bashkimit Evropian.

Pyetje: Një pyetje, lidhur me çështjen e programit IPARD II. Në një përgjigje për “Zërin e Amerikës” Delegacioni shprehet se raporti i është dorëzuar autoriteteve shqiptare dhe se pret prej tyre që ta marrin shumë seriozisht këtë çështje. Çfarë do të thotë kjo, çfarë realisht prisni nga autoritetet shqiptare?

Ambasadori Soreca: Ju e dini që Komisioni Evropian ka marrë një raport nga OLAF, e ka vlerësuar dhe më pas ia ka transmetuar kërkesën e tij autoriteteve shqiptare duke u kërkuar atyre të marrin masa deri në fund të vitit. Mbi këtë bazë, Komisioni Evropian do të vlerësojë se cilat do të jenë hapat e ardhshme. Megjithatë, ndërkohë, për të mbrojtur interesat financiare të Bashkimit Evropian, siç e dini, pagesa e IPARD II dhe rekomandimi për IPARD III janë ndërprerë. Pse? Sepse po flasim për para të taksapaguesve të BE-së, prandaj duam që kjo çështje të merret shumë seriozisht. Prandaj presim që qeveria shqiptare të veprojë shumë seriozisht për trajtimin e kërkesës së Komisionit, në mënyrë që nëse kjo kërkesë plotësohet, të mund të rinisim këtë program shumë të rëndësishëm që ka prodhuar përfitime konkrete për qytetarët shqiptarë dhe të ndihmojmë një nga fushat më të rëndësishme të ekonomisë së Shqipërisë: bujqësinë. /VOA


Shtuar 15.11.2023 18:29