Kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviç, ka pranuar ftesën për vizitë në Kiev nga presidenti i Ukrainës, Volodymir Zelensky. Ai ka nisur idenë se edhe liderët e shteteve tjera të Ballkanit Perëndimor t’i bashkëngjiten në këtë vizitë.
Abazoviç ka hedhur idenë që në këtë vizitë të jetë i shoqëruar nga kryeministrat e vendeve anëtare të NATO-s në Ballkanin Perëndimor, pra nga kryeministri i Shqipërisë dhe i Maqedonisë së Veriut.
Lajmin e ka bërë të ditur vetë qeveria e Malit të Zi me anë të një komunikate.
“Kryeministri Dritan Abazoviq, pranoi ftesën e bërë nga Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelenskyy, për të vizituar kryeqytetin e Ukrainës.”
“Dritan Abazoviq do të nisë një ide për një vizitë të përbashkët në Kiev nga kryeministrat e Ballkanit Perëndimor, veçanërisht nga vendet e NATO-s të rajonit, me qëllim dërgimin e një mesazhi më të fortë dhe të bashkuar të mbështetjes së Ballkanit Perëndimor për sovranitetin dhe integritetin e Ukrainës”, thuhet tutje./albeu.com