Kryeministri Rama, pas përfundimit të mbledhjes së qeverisë ditën e sotme është pyetur nga gazetarët nëse “distancimi” i Partisë Sociliste nga ish-zëvendës kryeministri Arben Ahmetaj po paralajmëron një hetim ndaj tij për çështjen e inceneratorëve apo një “non grata.”
Kryeministri duke mohuar zërat e distancimit, u shpreh se partia ka të drejtë të bëjë riorganizime sidomos kur ndodhen përballë një beteje të re.
Sipas tij, çdo gjë po bëhet në kuadër të zgjedhjeve lokale të cilat do të zhvillohen në 2023.
Pse PS po distancohet nga Arben Ahmetaj? A paralajmëron një “non grata”?
Rama: Këto janë ato përrallat që thashë dhe dje. Jeni në të drejtën tuaj të tregoni përralla. Është e drejta juaj, nuk di çfarë të them. Zoti i paftë të gjithë dhe Zoti u kujdestë për të gjitha. E vërteta e ka të vështirë të çajë në këtë botë ku sundon gënjeshtra. Njerëzit që janë besnikë e kanë të vështirë të qëndrojnë qetësisht në këtë botë, ku të gjithë tregojnë një përrallë për çdo qëllim. Ne kemi të drejtë të bëjmë lëvizje administrative. Njerëzit janë aty, kanë lëvizur, lëvizin.
Por bëhet fjalë për një figurë të rëndësishme. Çfarë gaboi?
Rama: Se si organizohet një skuadër është e drejta e skuadrës dhe jo e drejta e spektatorëve. Rezultatet do tregojnë. Pse duhet të ketë bërë diça patjetër dikush që të lëvizë nga një pozicion. Për të dhënë maksimumin në një betejë të re, bëhen organizime të reja. organizimi bëhet për zgjedhjet lokale.