Ministria e Mbrojtjes në Moskë kishte deklaruar pas largimit të Rusisë nga marrëveshja për drithërat, se nga 20 korriku të gjitha anijet që kalojnë përmes Detit të Zi në porte ukrainase do të konsiderohen si mbajtës potencialë të armatimeve ushtarake. Vendet, me flamurët e të cilave udhëtojnë këto anijee do të konsiderohen të përfshira në anën e Kievit në konfliktin e Ukrainës. A janë të lejuara sulme të tilla kundër anijeve tregtare nga ana e së drejtës ndërkombëtare dhe çfarë pasojash mund të ketë bllokada faktike e porteve ukrainase nga Rusia? DW ka folur me ekspertë për këtë çështje:
Një palë lufte nuk mund të deklarojë në mënyrë të njëanshme persona të veçantë apo organizata si objektivë legjitimë të luftës. I këtij mendimi është Johannes Peters, ekspert i sigurisë në Universitetin e Kielit. “Kur Rusia i sheh si objektiva legjitime anijet, kjo nuk do të thotë aspak se ato janë objektiva legjitime. Një sulm i Rusisë ndaj anijeve tregtare, që ndodhen në lëvizje në ujëra ndërkombëtare mbrohet jo vetëm nga e drejta ndërkombëtare, por edhe nga e drejta ndërkombëtare e luftës.” Vetëm dyshimi, se një anije civile mund të transportojë material ushtarak nuk e justifikon një sulm ndaj një anijeje.
Po çfarë u lejohet palëve në luftë?
Wolff Heintschel von Heinegg, profesor për të drejtën ndërkombëtare në Unniversitetin Viadrina bën të qartë, se një palë që zhvillon luftë, sipas të drejtës të luftës detare, lejohet të kontrollojë të gjitha anijet që marrin kurs drejt territorit armik. Nëse do të gjendet në këtë rast material kontrabandë, kjo duhet t’i bëhet e ditur botës. Por më parë duhet të publikohet një listë e mallrave që nuk lejohet të transportohen. “Nëse kontrollohet një anije, tek e cila nuk bëhet fjalë për një anije tregtare armike, por për një anije tregtare neutrale, dhe del, se ajo ka në bord materiale të tilla, palës luftuese i lejohet të konfiskojë anijen, por jo ta sulmojë. Një sulm ndaj anijes do të lejohej, vetëm nëse anija përdoret për të dhënë një kontribut të efektshëm në veprimet ushtarake të armikut. Për shembull një anije, që jep informacione sekrete me vlerë ushtarake, vendos mina, apo gjëra të përafërta. Atëherë kjo anije do të ishte e cënueshme për t’u sulmuar. Thjesht fakti, që ajo lëviz në Detin e Zi, nuk do të thotë, se ekziston e drejta që ajo të kthehet në objektiv sulmi”, shpjegon eksperti.
Heintschel von Heinegg thekson se, “nëse një anije transporton vërtet materiale ushtarake për armikun, mund të kthehet në një objekt sulmi.” Por kjo duhet të bazohet në fakte dhe jo në supozime. Nëse Rusia nuk publikon më parë një listë të materialeve të ndaluara, atëherë sipas ekspertëve nuk do të ketë mallra të ndaluar për transport dhe anijet në drejtim të Ukrainës nuk duhet të konfiskohen nga Rusia. Por ato mund të ndalohen për kontroll. Një ekip shkon në bord, kontrollon anijen dhe duhet ta lejojë të vazhdojë rrugën, nëse nuk është pjesëmarrëse në zhvillimet në Ukrainë, sipas Heintschel von Heinegg.
Cilat janë qëllimet e Rusisë?
Sipas Johannes Peters Rusia me rrezikimin e tregtisë ndërkombëtare në radhë të parë nuk synon të dobësojë Ukrainën, por më shumë perëndimin përmes përdorimit të urisë si armë dhe ta detyrojë atë të lirojë sanksionet. “Këtu mjafton, kjo është llogaria e Rusisë, që të kërcënohet me masa të caktuara, me qëllim që koncernet e anijeve por edhe shoqëritë e sigurimit të anijeve të mos i hyjnë këtij rreziku dhe kështu t’ia pamundësojnë Ukrainës të eksportojë më tej drithëra”, thotë eksperti. “Rusia kërkon të detyrojë perëndimin që të lirojë sanksionet e vendosura kundër Rusisë.” Kërkesat e Moskës janë të qarta: ripranimi i bankës agrare ruse, “Rosselchosbank” në sistemin SWIFT dhe eksportimi më i lehtë i plehrave kimikë.
Fundi i marrëveshjes për drithërat është për Rusinë një rast i mirëpritur, për të vendosur nën presion botën perëndimore, thekson Peters. Edhe forcimi i sulmeve mbi Odesa janë pjesë e strategjisë ruse “për të penguar që anijet me ftesë të Ukrainës të zgjedhin itinerare të tjera alternative që diskutohen për momentin.”
Cilat janë mundësitë e perëndimit?
Peters thotë, se perëndimi duhet tani të vendosë, nëse në rast nevoje do të shoqërojë ushtarakisht anijet tregtare, gjë që po debatohet së fundmi. Megjithate kjo është praktikisht e vështirë të realizohet, sipas ekspertit. Së pari duhet që Turqia të miratojë prezencën e një sërë anijesh ushtarake në Detin e Zi. Tjetra: në kërë rast duhet të vendosen itinerare speciale. Nga ana tjetër sipas Peters, me këtë hap do të rritej shumë rreziku, që shtetet perëndimore, sikur edhe padashur, të përfshiheshin drejtpërdrejt në përplasje ushtarake me anijet ruse të luftës. “Nga fillimi i luftës si Rusia ashtu edhe perëndimi janë përpjekur të mënjanojnë një shkallëzim të tillë.”/dw