Skandalet me cënimin e privatësisë janë duke ndodhur dita ditës në vend. Të mërkurën dhe dje, dolën brenda 48 orësh dy lista me pagat e 694 mijë shqiptarëve të punësuar në sektorin publik ose atë privat, ndërsa sot u publikua databaza me targat e 590 mijë automjeteve në Shqipëri.
Databaza që ka parë abcnews.al është e ndarë në disa kolona ku listohen targat, modeli i automjetit, tipi, ngjyra e tij, numri i shasisë dhe emri i personit që e ka në pronësi.
Ndërkohë që prokuroria duhet të gjejë përgjegjësit e këtij skandali të madh pasi shteti është përgjegjësi për ruajtjen e të dhënave personale të qytetarëve, ne e gjëjmë të udhës që të heqim disa kuriozitete të shqiptarëve për market e makinave që përdorën me shpesh në rrugët tona.
Siç raportohet në databazën e targave të makinave që ka parë abcnews.al, “Benz-i” vijon të jetë “mbreti” i rrugëve në Shqipëri, megjithatë gjatë viteve të fundit marka e renditur si e dyta i është afruar shumë dhe gjasat janë që Brenda një periudhe të shkurtër makina më e dashur e shqiptarëve ta humbasë kryesimin.
Mësohet se në Shqipëri lëvizin 98 963 automjete të markës “Mercedes Benz”, ku 89 087 janë në pronësi të indvidëve dhe 9 876 janë në pronësi të bizneseve.
Në vend të dytë, me një rritje të ndjeshme gjatë viteve të fundit, renditet “Volkswagen”, me 89 100 makina në total. Nga këto, 82 087 makina janë në pronësi të indvidëve dhe 6 976 i kanë bizneset.
Në vend të tretë është marka “Opel”, me një total prej 27 664 makinash që qarkullojnë në rrugë. 26 200 janë në pronësi të individëve, kurse pjesa tjetër është në emër të bizneseve.
Në vend të katërt është marka “Audi”, me një total prej 26 189 makinash që qarkullojnë në rrugë. Pjesa dërrmuese e tyre, rreth 25 300 janë në pronësi të individëve, kurse pjesa tjetër është në emë rtë bizneseve. Ajo që vihet re te “Audi” është fakti se rezulton të jetë një makinë më pak e preferuar për bizneset, nisur edhe nga kostoja e lartë e mirëmbajtjes.
Në vend të pestë renditet “Toyota”, e cila ka fituar mjaft treg gjatë viteve të fundit. Sipas databazës së targave që ka parë abcnews.al, rezulton se në Shqipëri janë targuar 21 943 makiina të kësaj marke. 20 259 makina “Toyota” janë në pronësi të individëve, kurse 1 684 janë në pronësi të bizneseve.
Më poshtë, abcnews.al ju sjell të renditura edhe market e tjera të makinave më të preferuara në Shqipëri:
6- Renault
14 136 makina të regjistuara nga individët
1 169 makina të regjistuara nga bizneset
7-Peugeot
9 724 makina të regjistuara nga individët
1009 makina të regjistuara nga bizneset
8-Hyundai
4 650 makina të regjistuara nga individët
2 786 makina të regjistuara nga bizneset
9-KIA
1906 makina të regjistuara nga individët
288 makina të regjistuara nga bizneset
/abcnews.al