A do e marrë PD-në me forcë Sali Berisha? Hajdari: Shërbimet Sekrete do monitorojnë çdo cm më 5 e 8 janar

Të ftuar në studion e emisionit “Pikat mbi i’, në News24, analisti Artur Zheji dhe konstitucionalisti Shkëlqim Hajdari komentuan edhe zhvillimet brenda Partisë Demokratike dhe atë që pritet të ndodhë më 5 dhe 8 janar, kur ish-kryeministri Sali Berisha ka paralajmëruar se do të marrë me forcë zyrat e selisë blu.

Si Zheji, ashtu edhe Hajdari, mendojnë se asgjë nuk do të ndodhë në këto dy data, dhe se Berisha nuk mund t’i marrë zyrat e PD me forcë, pa dëshirën e kryedemokratit Lulzim Basha.

Pyetje: Çfarë pritet të ndodhë më 5 apo 8 janar?

Zheji: Basha është kryetari i PD, i kontestuar nga Berisha dhe njerëzit e tij. Ai flet për demokratët që të mos i frikësohen, flet për ndërkombëtarët që të kuptojnë se aty ka një situatë kritike, por ai e përballon, flet për kundërshtarët që nuk trembet. Për kundërshtarët e Bashës do të ishte mirë që ai të hapte rrugën. Por Basha thotë që do të qëndrojë, le të vijë 5 apo 8 janari, pra thotë nuk devijoj, nuk jap dorëheqjen, nuk ua bëj të lehtë, nuk më largon dot, përndryshe do kalosh vijën e kuqe. Dhe kur kalon vijën e kuqe edhe Berisha do të jetë në siklet. Do të shtoja që befasia, që ishte procesi i “Foltores”, që filloi si një gjë e thjeshtë, mori formën e një orteku, u rrit në mënyrë eksponenciale. Berisha, me gjithë moshën, ishte në top formë dhe arriti të bind një pjesë të konsiderueshme demokratëve që ishte viktimë e një konspiracioni të trekëndëshit Soros-Basha-Rama, si anti-tezë e trekëndëshit të Bermudës, që thotë Basha. Pra, sipas tij, Basha peng i Ramës, Rama peng i Soros dhe Soros armiku i tij.

Befasi nuk ka, orteku pro-berishian arriti kulmin e vet më 11 dhjetor dhe prodhoi dy gjëra, një Kongres që nuk i pamë asnjëherë numrat e saktë, dhe një referendum që sërish nuk ja pamë numrat e saktë. Fakt është që kemi dy palë, i janë drejtuar gjykatës, pra kanë kërkuar një arbitër jashtë vetes. Kjo tregon se ndoshta Basha ka të drejtë dhe as më 5, as më 8, ka shumë mundësi të mos ndodhin përplasje, të cilave ju druhen shqiptarët. Absolutisht që Basha nuk i liron zyrat, aq më tepër do t’i blindojë ato.

 

Hajdari: Tashmë historia mes dy grupeve në PD nga pikëpamja ligjore do të zgjidhet nga gjykatat. Çdo lëvizje që do të bëhet jashtë vendimeve gjyqësore, nuk e shëndosh gjenden që ka PD. Meqenëse puna shkoi në gjykatë, tani duhet të presin gjykatën, kujt do t’i japë të drejtë. Duhet të jetë një albitër, se ato i bënë punët pa qenë të përfshirë të dy palët. Doktori me një krah, dhe Basha në krahun tjetër. Është gjykata që jep vendimin. Nëse këto mendojnë se janë në një shtet demokratik, që kërkojnë ta çojnë Shqipërinë në BE, duhet të pranojnë vendimin e gjykatës. Këto e kanë çuar në gjykatë, tani pse duhet të nxitojë Berisha dhe të thotë me datë 8 do shkoj të bëj pushtimin, kur gjykatat nuk janë shprehur akoma? Çfarë bukurie ka se shkove e more ca tulla atje? Si mund ta marrësh ti zyrën e kryetarit të partisë, nëse nuk ke një vendim gjykate, kur kryetari i opozitës është njeri i mbrojtur? Si e merrte ti? Do shkosh të përleshesh me gardistët?

 

Zheji: Në katin e dytë, që tha Berisha e të tjerë se ka njerëz të armatosur, paskan qenë gardistët?

Hajdari: Unë nuk e di. Unë nuk e di se çfarë ka parasysh Berisha të thotë, por di që Basha mbrohet nga Garda e Republikës, si objekt, me akte ligjore. Objekt quhet Basha dhe ky objekt ruhet në shtëpi, në zyrë, në rrugë. Kudo që shkon, gardistët janë aty. Basha nuk ka asnjë komunikim me gardën. Detyra është e atyre që e ruajnë, që të komunikojnë me eprorët për situatat që paraqiten. Ata nuk janë robot, raportojnë në çdo 24 orë për objektin.
Zheji: 10 vite më parë Garda bëri një vetëveprim shumë të rëndë, goditi qytetarët, në janar. Atëherë ata po mbronin kryeministrin, Berishën. Pra, Garda ose vepron në mënyrë autonome, ose merr urdhra.

Hajdari: Historia e 21 janarit është shumë herë më e madhe. Duhet ta themi qartë dhe saktë, Basha ruhet nga Garda e Republikës, siç ruhen dhe shumë të tjerë. Këta njerëz ruhen në shtëpi, në lëvizje, por edhe në zyrë. Njerëzit që ruajnë një objekt mundet të komunikojnë me eprorët e tyre për situatën. Ata mund të kërkojnë përforcime për situatën që shohin. Pra, gardistët komunikojnë me eprorët e tyre. Unë që s’ka për të pasur asnjë lloj problemi. 21 janari është histori tjetër. Nisi shumë keq dhe të gjithë njerëzit kanë reflektuar. Di që është vendosur për t’u rihetuar 21 janari. Por, unë mendoj se nuk është në interes të asnjërës palë, si të Berishës, ashtu edhe të Bashës, që të mos ketë incidente, sepse incidentet dëmtojnë të dyja pjesët e PD. E sigurt është që agjencitë ligjzbatuese shqiptare kanë marrë masa që edhe pa qenë prezente të jenë prezente aty, në çdo centimetër, për të monitoruar. Garda nuk merret me punë operative, por Shërbimi Sekret, Shërbimet e Policisë Kriminale, nuk kanë asnjë pengesë që të shkëmbejnë informacione konfidenciale edhe me shërbimet partnere.

Pyetje: Ligjërisht, nëse grupi i Berishës mësyn në PD, çfarë ndodh?
Hajdari: Asgjë nuk ndodh. Zyra e kryetarit të PD nuk mund të merret dot, vetëm nëse kryetari do ta lirojë vetë. Nuk merret dot, sepse është personeli i Gardës së Republikës që ruan kryetarin e PD për hir të funksioneve, pikë. Jemi shtet demokratik, vend kandidat për t’u bërë anëtar i BE, vend i NATO, ku jemi këtu, s’merret pra, si u merka. A, nëse Basha thotë që po ik në shtëpi, atëherë e marrin zyrën, se nëse Basha ikën në shtëpi, edhe gardistët ikin pas tij, se ata nuk ruajnë zyrën, por objektin.

Deklaratat e Ramës ndaj Bashës…
Zheji: Nëse thuhet që një njeri ka lindur me këmishë, pra që ka shumë fat, për Ramën duhet të themi se ka lindur me pallto. Pra, nëse nuk do të sqarohet situata te opozita, nëse një nga palët nuk do të dorëzohet, nëse nuk do të kemi një PD të rithemeluar, dhe unë uroj që kjo të ndodhë, sepse është mirë për Shqipërinë, për mazhorancën, që të veprojë nën presion, pasi në të kundër shkapërderdhet mazhoranca, shkon deri në pakujdesi. Pra, fillon e humbet kontrolli, pasi njerëzit e kuptojnë që nuk ka më presion. Rama ka gjithë të drejtën e Zotit të bëjë diversion, të tallet. Kështu ka bërë edhe Berisha, kur e majta lëngonte në përçarje. Por, Rama e di, sepse ka inteligjencën e duhur dhe eksperiencën e duhur politike, që ky moment do i kthehet bumerang atij, sepse nga gjithë kjo gjë e tmerrshme që po ndodh në radhët e PD, në fund do të kemi një produkt të ri dërrmues, të fuqishëm, të rikonstruktuar dhe muskuloz nga ana politike. Nuk do të jetë një dualizëm, një gjë si e ngordhur, si hasude që jepet pas ushqimit të fortë. Por, deri atëherë ka X kohë dhe ai do bëjë ç’është e mundur që kjo gjendje jo e ekuilibruar e të djathtës të zgjasë sa më shumë. Por, herët apo vonë, koha do të flasë për opozitën, pa diskutim.

Hajdari: Demokracia është një trup që mbahet me dy këmbë, sepse po shkoi pesha e gjitha në një këmbë, ajo do të rrëzohet. Kështu që të gjithë duhet të shpresojmë që problemet që janë krijuar tek opozita shqiptare të mbarojnë sa më shpejt. Unë sot e dëgjova konferencën e shtypit të Bashës dhe më bëri përshtypje kur tha se ‘unë e PD jemi të vendosur që në fillim të janarit të paraqesim një draft të madh për ndryshime të thella kushtetuese, në mënyrë që Shqipëria të ketë një sistem tjetër demokratik, që ka të bëjë me balancën e pushteteve, llogaridhënien, transparencën, kontrollin parlamentar mbi qeverinë, votën e emigrantëve”. Këto janë reforma që bëjnë shtetin, të shikojmë se këto janë një ogur i mirë dhe të shpresojmë që janari, që ka ngelur në memorien tonë për keq nga 21 janari, ky të jetë janari i nisjes së një procesi të madh për ringritjen e demokracisë, për të ndërtuar një biproces jo vetëm nga PD, por në bashkëpunim me qeverinë, Komisionin e Venecias, me ODIH, në mënyrë që të rregullojmë dhe dy kolonat e tjera, se kemi rregulluar pushtetin gjyqësor, por pushtetin ekzekutiv dhe pushtetin e parlamentin e kemi të papërshtatshme me reformën që bëmë në fushën e drejtësisë.


Shtuar 31.12.2021 16:54