93 vite nga shpallja e Zogut mbret, betimi i tij mbi Bibël e Kuran

Gjatë vitit 1920, Shqipëria po përjetonte një periudhë të zgjatur trazirash politike dhe destabiliteti.

Pas zgjedhjeve të parakohshme të 25 gushtit 1928, deputetët e parlamentit nga Skrapari propozuan që Shqipëria duhet të shpallej sërish mbretëri. Ky propozim u pranua dhe u mor në konsideratë nga Asambleja Kushtetuese.

U ngrit një Komision Statutor, i cili propozoi një ndryshim regjimi nga Republikë në Mbretëri Kushtetuese. Ky propozim u miratua nëpërmjet një votimi më 30 gusht 1928 nga Asambleja Kushtetuese, e cila e shpalli Shqipërinë Mbretëri demokratike, parlamentare dhe të trashëgueshme. Më pas u ngrit një komision i cili këtë vendim ia komunikoi Presidentit Ahmet Zogu, duke i ofruar atij fronin mbretëror.

Më 1 shtator 1928, vendimi i Asamblesë Kushtetuese hyri në fuqi. Zogu I, Mbreti i Shqiptarëve, mbajti këtë betim me duart mbi Bibël dhe Kuran:

“Unë, Zog I, Mbreti i Shqiptarëve, në minutën që hyp në fronin e Mbretërisë Shqiptare dhe marr në dorë pushtetet mbretërore, betohem para Zotit Fuqimadh, se do të ruaj njësinë kombëtare, pavarësinë shtetërore dhe tërësinë tokësore; gjithashtu, do ti përmbahem Statutit e do të veproj pikërisht sipas atij dhe sipas ligjeve në fuqi, duke pasur parasysh gjithmonë të mirën e popullit. Perëndia më ndihmoftë!”


Shtuar 1.09.2021 13:42