81 shqiptarë humbën jetën, shumica gra e fëmijë: 24 vite nga tragjedia e Otrantos

24 vite mbushen sot nga Tragjedia e Otrantos e ndodhur më 28 mars të vitit 1997, ku anija shqiptare “Katri i Radës”, u përmbyt në Ngushticën e Otrantos nga forcat detare italiane.

Në bordin e anijes ishin 142 persona, nga ku 81 humbën jetën dhe vetëm 61 mundën të mbijetonin. Nga viktimat, 23 trupa nuk u arritën të gjendeshin kurrë.

Anija kishte si destinacion Brindisin, Itali, me qëllim të një jete më të mirë. Pjesa më e madhe e të mbyturve ishin gra dhe fëmijë që gjendeshin në lokalet e brendshme të anijes dhe në pamundësi shpëtimi për shkak të mbytjes së menjëhershme.

Eksodi i madh i emigrantëve shqiptarë drejt Italisë kishte kohë që kishte nisur dhe në vitet e trazuara të 1997 largimet me anije ishin të shpeshta drejt vendit fqinj. Për të shmangur hyrjen ilegale të emigrantëve, forcat detare italiane proceduan në mënyrë të menjëhershme për të bllokuar anijen, por gjatë ndërhyrjes anija italiane “Sibilla” u përplas me “Katrin e Radës” duke e mbytur atë.

Kjo ngjarje historike u kujtua edhe nga ish zv.komandati i Forcave Detare, Artur Meçollari, i cili shprehet se Flota Luftarake Shqiptare ka pasur 4 anija si “Katri i Radës” dhe sot ka mbetur vetëm një, tepër e dëmtuar dhe në gjendje të mbytur në Raguza 2 të Karaburunit.

Ai shkruan se ajo mund të nxirret dhe të vendoset si monument në Vlorë në nder të 81 jetëve të humbura në këtë tragjedi.

Në 29 janar 2012 në qytetin e Otrantos u inaugurua monumenti i emigracionit, i krijuar nga skulptori grek Kostas Varotsos, me mbistrukturën e anijes shqiptare “Katri i Radës (A-451) . Të pranishëm ishin dhe autoritetet e Marinës Luftarake Italiane.

Dy pjesë të anijes “Katri i Radës”, u kthyen në Vlorë, ku artistët shqiptare Arta Ngucaj dhe Arben Beqiraj, realizuan një vepër arti në një shesh të qytetit, pranë portit.

Në vitin 1998 trupat e të mbyturve në Tragjedinë e Otrantos u sollën në Vlorë dhe u varrosën me një ceremoni shtetërore në Varrezat e Qytetit të Vlorës.

Historiku i mbytjes së anijes “Katri i Radës”:

Në marsin e vitit 1997 Vlora, si edhe gjithë Shqipëria, ishin përfshirë në një anarki totale, ku shteti nuk funksiononte. Në datën 27 mars 1997 një grup trafikantësh kishin rrëmbyer nga Saranda mjetin “Katri i Radës” dhe e sollën atë në Vlorë. Kjo anije ishte pjesë e strukturës së Bazës Detare të Limionit, Sarandë, me numrër bordi A-451. Anija u bregëzua në molin “ZERO” të Portit të Vlorës dhe deri në mbasditen e datës 28 mars 1997 në të u imbarkuan rreth 115 vetë për lundrimin e tokës së premtuar, drejtë Italisë.

Eksodi shqiptar drejt Italisë kishte kohë që kishte filluar. Për të shkuar drejt Italisë u përdorën të gjitha mjetet detare të mundshme, anijet e peshkimit, tregtare, pa kursyer edhe anijet ushtarake. Për përballimin e kësaj situate, Italia kishte krijuar një bllokade detare, me qëllim pengimin e kalimit të anijeve shqiptare drejt Italisë. Në datën 28 mars 1997 fregata italiane “ZIFERO” (F 577) dhe korveta “SIBILA” (F-588) patrullonin në Kanalin e Otrantos.

“Katri i Radës” u nis nga Porti i Vlorës me 115 vetë në mbasditen e datës 28 mars 1997 me destinacion Brindizin Italinë, duke lundruar nëpërmjet Kanalit Jugor të Gjirit të Vlorës. Kapiten i anijes “Katri i Radës” (A-451) ishte Namik Xhaferri. Sapo “Katri i Radës” (A-451) doli nga Kanali Jugor i Gjirit të Vlorës u identifikua nga fregata italiane “ZIFERO” (F 577). Kapiteni i fregatës “ZIFERO (F-577) i bëri disa thirrje “Katrit të Radës” për t’u kthyer mbrapa, por thirrjet ishin të pasuksesshme. Në kuvertën e “Katrit të Radës” dalloheshin rreth 30 vetë.

Në pamundësi të ndalimit të “Katrit të Radës, fregata “ZIFERO” (F-577) ia kaloi detyrën karvetës “SIBILA” (F-588). Tashmë “Katri i Radës” kishte mbërritur në mes të Kanalit të Otrantos. Veprimet e komandantit të korvetës “SIBILA” (F-588), kapiten i rangut të tretë Fabrizio Laudadio, u bënë agresive. Në orën 16:30 ai bëri një manovër kërcënuese duke iu afruar “Katrit të Radës” më shumë se normat e lejuara. Afrimi ishte fatal dhe “Katëri i Radës” u përmbys dhe mbyt menjëherë. Korveta “SIBILA” (F-588) kishte një tonazh prej 1300 ton, kurse “Katri i Radës” kishte një tonazh prej vetëm 40 ton.

Mbas mbytjes së “Katrit të Radës, ndihma e korvetës “SIBILA”(F-588) nuk ishte e menjëhershme. Nga 115 veta që gjendeshin në bord, 34 vetë mundën të mbijetonin dhe u transferuan në Brindisi. Në 19 tetor 1997, pas një operacioni të vështirë 4-ditor, anija e specializuar “Performer”, nxori nga 823 metra thellësi anijen “Kateri i Radës” (A-451). Brenda në anije u gjendën 58 trupa, kryesisht gra e fëmijë. 23 vetë nga kjo tragjedi ende janë të humbur.

Tragjedia e Otrantos e 28 marsit 1997 pati një jehonë shumë të madhe ndërkombëtare, edhe për faktin e deklaratave kontradiktore në politikën italiane. Në 5 prill 1997, deputetja italiane Irene Pivetti, ish-kryetare e Dhomës së Deputetëve, deklaroi se për të përballuar mbërritjen e mijëra shqiptarëve, ata duheshin hedhur në det. Për këtë deklaratë, ajo kërkoi falje pas 14 vjetësh.

Marina Luftarake Italiane menjëherë, në datën 29 mars 1997, nisi një hetim të brendshëm, ku konkludoi se kontakti mes anijeve “Sibila” dhe “Katri i Radës”, ka qenë një nga shkaqet e mbytjes. Në 17 nëntor 1998 Prokuroria e Brindisit përfundoi hetimin për këtë tragjedi. Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Shkallës së Parë të Brindisit vendosi që Namik Xhaferi, drejtuesi i anijeas “Katri i Radës” të dënohet me katër vjet heqje lirie, ndërsa kapiteni i rangut të tretë Fabrizio Laudadio, komandant i korvetës “SIBILA” (F-588) të dënohet me tre vjet heqje lirie. Në vitin 2011 dënimi i tyre u ulën respektivisht në tre dhe dy vjet.

Në 29 janar 2012 në qytetin e Otrantos u inagurua monumenti i emigracionit, i krijuar nga skulptori grek Kostas Varotsos, me mbistrukturën e anijes shqiptare“Katri i Radës (A-451) . Të pranishëm ishin dhe autoritetet e Marinës Luftarake Italiane. Dy pjesë të anijes “Katri i Radës”, u kthyen në Vlorë, ku artistët shqiptare Arta Ngucaj dhe Arben Beqiraj, realizuan një vepër arti në një shesh të qytetit, pranë portit. Në vitin 1998 trupat e të mbyturve në Tragjedinë e Otrantos u sollën në Vlorë dhe u varrosën me një ceremoni shtetërore në Vorrezat e Qytetit të Vlorës.

Si anija “Katri i Radës” Flota Luftarake Shqiptare ka patur katër copë. Sot ka ngelur vetëm një, tepër e dëmtuar dhe në gjendje të mbytur në Raguza 2, Karaburun. Ndoshta nxjerrja e saj dhe krijimi i një monumenti të qytetin e Vlorës do të ishte një nderim i munguar për këtë tragjedi dhe 81 jetët njerëzore që humbën jetën.

Shtuar 28.03.2021 02:03