VIDEO/ 71-vjeçari goditi 26 herë me thikë një 6-vjeçar palestinez në Çikago

Autoritetet amerikane akuzuan një burrë 71-vjeçar për vrasje  dhe krime të urrejtjes të dielën pasi ai dyshohet se theri me thikë një grua muslimane dhe djalin e saj gjashtëvjeçar pranë verilindjes së Çikagos në një sulm që policia beson se është i lidhur me luftën midis Izraelit dhe Hamasit.

Fëmija, i cili u godit me thikë 26 herë, vdiq në spital, por nëna e tij, 32 vjeç, është jashtë rrezikut për jetën, sipas një deklarate nga Zyra e Sherifit të Qarkut Will (Illinois), e cila e përshkroi sulmin si “të neveritshëm”.

“Hetuesit arritën të përcaktojnë se dy viktimat e këtij sulmi barbar ishin në shënjestër të të dyshuarit për shkak se ishin myslimanë dhe për shkak të konfliktit të vazhdueshëm në Lindjen e Mesme që përfshin Hamasin dhe izraelitët”, thuhet në deklaratë dhe sqarohet se krimi u krye përafërsisht 40 milje në perëndim të Çikagos.

Zyra e sherifit nuk bëri të ditur kombësinë e viktimave. Megjithatë, sipas zyrës së Çikagos të Këshillit për Marrëdhëniet Amerikano-Islamike (CAIR), fëmija ishte palestinezo-amerikan.

Gruaja ishte në gjendje të telefononte 911 duke u përpjekur të shmangte sulmuesin.

“Asistentët i gjetën dy viktimat brenda në banesë, në një dhomë gjumi. Dy viktimat pësuan plagë të shumta me thikë në kraharor, bust dhe gjymtyrë të sipërme”, sipas zyrës së sherifit.

Gjatë autopsisë, fëmijës i është hequr një thikë e dhëmbëzuar e stilit ushtarak me një teh 15 cm nga barku.

Shefi i zyrës së CAIR në Çikago, Ahmed Rehab, u tha gazetarëve se sulmuesi trokiti në derën e viktimave dhe fillimisht u përpoq ta mbyste gruan, duke i thënë asaj “ju muslimanë duhet të vdisni”, duke cituar mesazhet me tekst që gruaja i dërgoi babait të djalit të vrarë nga shtrati i spitalit./Albeu.com


Shtuar 16.10.2023 08:44