Përmes një statusi në Facebook, sekretari i përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi shkruan se Sali Berisha po demaskon veten dita ditës duke sulmuar vetëm Partinë Demokratike dhe demokratët.
Sipas tij, Berisha e ka betejën e ka me PD dhe demokratët, jo me regjimin e Edi Ramës dhe se këtë metodë ka futur edhe tek ato pak njerëz që i shkojnë nga pas në 6 bashkitë.
Bardhi: Sali Berisha po demaskon veten dita ditës duke sulmuar vetëm Partinë Demokratike dhe demokratët. Asnjë fjalë për kandidatët e Partisë Socialiste në zgjedhjet e 6 Marsit. Vetëm fyerje, sharje, shpifje dhe intimidim për kandidatët e Partisë Demokratike.
Betejën e ka me PD dhe demokratët, jo me regjimin e Edi Ramës. Këtë metodë ka futur edhe tek ato pak njerëz që i shkojnë nga pas në 6 bashkitë. Nuk i interesojnë demokratët, nuk u intereson fitorja e tyre, i intereson vetëm të furnizojë me “karburant” revolucionin e tij imagjinar bashkë me Ilir Metën kundër SHBA. Çdo votë për “Shtëpinë e Ilirit” është votë kundër demokratëve, kundër PD, dhe votë që fuqizon pushtetin e Edi Ramës.