Mbrëmjen e djeshme, një ngjarje e rëndë është shënuar në fshatin Oseckë në Leskovik, ku një person është djegur brenda një kasolleje.
Ka qenë vëllai i viktimës, i cili ka njoftuar policinë.
Sipas njoftimit të policisë, shkak dyshohet të ketë qenë një qiri i lënë ndezur në kasolle, për shkak të së cilës u përhapën flakët e zjarrit duke i marrë dhe jetën 49-vjeçarit.
Grupi hetimor ka shkuar menjëherë në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e rrethanave të plota të zjarrit.
Njoftimi i Policisë:
“Kolonjë/Informacion paraprak
Gjatë natës, në fshatin Oseckë, njësia administrative Leskovik, dyshohet se për shkak të lënies ndezur të një mjeti për ndriçim (qiri), ka marrë flakë kasollja ku qëndronte shtetasi A. V., 49-vjeç (bari).
Si pasojë, 49-vjeçari ka humbur jetën.
Shërbimet e Policisë dhe grupi hetimor kanë shkuar menjëherë në vendngjarje, ku vijon puna për të dokumentuar ligjërisht rrethanat e ngjarjes”, njofton policia.