4 të arrestuar për kultivim droge në Kurbin, mes tyre dhe një grua

Shërbimet e Policisë Kurbin, në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e kultivimit të bimëve narkotike, gjatë kontrollit të territorit, bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë policore, kanë evidentuar dhe goditur 4 raste të tentativës për kultivim të kanabisit, në Fushë Milot, Kurbin.

Në përfundim të veprimeve, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Kurbin arrestuan në flagrancë shtetasit: I. H., H. K., H. B. dhe shtetasen M. K., të gjithë banues në Fushë Milot, Kurbin.

Arrestimi i tyre u bë pasi janë kapur në kushtet e flagrancës, duke tentuar të kultivojnë bimë narkotike cannabis sativa në pjesën e pasme të banesave, në tokat në pronësi të tyre, në fshatin Fushë Milot, Kurbin.

Materialet do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Kurbin, për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”./albeu.com


Shtuar 26.06.2021 10:47