Të paktën 36 persona kanë vdekur nga pasojat e zjarrit në Lahaina të Havait, shkroi të mërkurën në mbrëmje qarku Maui në një deklaratë të postuar në faqen e internetit.
Zjarret e furishme të përhapura nga erërat e forta të uraganit Dora përfshinë ishullin Maui, duke lënë prapa makina të djegura në rrugët dikur të frekuentuara dhe grumbuj rrënojash që nxirrnin tym aty ku ishin ndërtesat historike. Flakët shpërthyen duke detyruar banorët të zhyten në oqean për të shpëtuar.
Zyrtarët thanë më herët se 271 struktura u dëmtuan ose u shkatërruan dhe dhjetëra njerëz mbetën të plagosur.
Gjeneralmajori Kennneth S. Hara, i Departamentit të Mbrojtjes së shtetit të Havait tha se erërat e forta e bënë veçanërisht të vështirë luftimin e zjarrit, duke nënvizuar se era ishte aq e fortë sa helikopterët nuk të ngriheshin për të shuar zjarret.
Presidenti Joe Biden tha se ka urdhëruar angazhimin e të gjitha mjeteve federale për të ndihmuar operacionet e kërkim shpëtimit dhe se Garda Kombëtare e Havait ka mobilizuar helikopterët Chinook për të ndihmuar në shuarjen e zjarreve.
Lutjet tona janë me ata që kanë parë shtëpitë, bizneset dhe komunitetet e tyre të shkatërruara”, tha presidenti Biden në një deklaratë.
Ish presidenti Barack Obama, i cili ka lindur në Havai, shkroi në rrjetet sociale se është e vështirë të shohësh disa nga pamjet që dalin nga një vend që është kaq i veçantë për shumë njerëz.
Zjarret ishin më të fundit në një seri problemesh të shkaktuara nga moti i skajshëm në gjithë globin këtë verë. Ekspertët thonë se ndryshimi i klimës po rrit gjasat për ngjarje të tilla.