35 mijë euro për të ndërruar identitet, si u pajis me pasaportë greke porositësi i vrasjes së komisar Artan Cukut

Bledar Jambelli alias (Rikardo Muho) i dyshuari si porositës i vrasjes së komisar Artan Cukut, rezulton të jetë i pajisur me pasaportë greke të falsifikuar nga grupi që u ndryshonte identitetet kriminelëve shqiptar, me qëllim që ti shmangeshin drejtësisë.

Mediat helene raportojnë se Bledar Jambelli kishte siguruar në Xania nja kartë identiteti me pasaportë greke me emrin Xristos Xamkidis.

Rikardo Muho, që për policinë greke, e kishte shtrirë veprimtarinë kriminale në Spanjë dhe Greqi në prill 2020 është marrë në pyetje nga policia helene ku ka dhënë informacion të vlefshëm lidhur me grupin kriminal të falsifikatorëve.

Sipas tij, ai kishte paguar 35 mijë euro për të ndërruar identitet dhe këtë e kishte bërë me qëllim që të mos ekstradohej në Shqipëri, por të qëndronte pranë familjarëve të tij në Greqi.

Ai është shpallur në kërkim ndërkombëtar me një vendim të datës 18 prill 2018, që është rifreskuar së fundmi nga Policia e Shtetit, ndonëse kërkimet për të kishin nisur prej qershorit të vitit të kaluar.

Me një vendim të dhënë në mungesë, të mbajtur sekret për mediat dhe në fshehtësi të plotë, Gjykata e Krimeve të Rënda ka vendosur masën e sigurisë “Arrest me burg” në mungesë për Bledar Jambellin. Masa e sigurisë është caktuar më datë 12 qershor të vitit 2017 dhe menjëherë vendimi i është përcjellë Policisë së Shtetit për ekzekutim.

“Shtetasi Bledar (Rikardo) Jambelli (Muho) shpallet në kërkim me kartelë të ‘kuqe’, pasi me shkresën nr.3303, datë 17 prill 2018, Prokuroria e Krimeve të Rënda, Tiranë, ka dërguar urdhrin e datës 12 qershor 2017 për ekzekutimin e vendimit nr.292, të datës 12 qershor 2017 të Gjykatës së Krimeve të Rënda, e cila ka caktuar masën e sigurisë ‘Arrest me burg’ për veprën penale ‘Vrasje e punonjësit të Policisë së Shtetit” në bashkëpunim, parashikuar nga neni 79/b të Kodit Penal. E ndjek Seksioni për Krimet ndaj Jetës. Të ndalohet”, ky është urdhri i shpalljes në kërkim ndërkombëtar të Bledar Jambellit./albeu.com/