3200 euro për një dëftesë false në Shkodër, arrestohet drejtoi i shkollës në fshatin Hot i Ri

Për 3200 euro mund të merrni një diplomë gjimnazi në Shqipëri. Rasti i paprecedentë ka ndodhur në Shkodër në fshatin Hot i Ri.

Policia ka vënë në pranga drejtorin e shkollës së mesme dhe një person tjetër, bashkëpunëtor i 54-vjeçarit, pasi u kap në tentativë për të shitur dëftesen false.

Në kuadër të operacionit “Dëftesa” u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit Gj. K., 54 vjeç, banues në Shkodër, me detyrë Drejtor i shkollës 9-vjeçare në fshatin Hot i Ri, për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës”, “Falsifikimi i dokumenteve” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” dhe Gj. F., 66 vjeç, banues në Shkodër, për veprat penale “Falsifikimi i dokumenteve”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” dhe “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”.

Nga veprimet hetimore të kryera në kuadër të këtij operacioni, dyshohet se këta shtetas bashkëpunonin me njëri-tjetrin, për të falsifikuar dëftesa, duke përdorur vulën e falsifikuar të shkollës së mesme në fshatin Breg Lumi, dhe për të pajisur me këto deftesa, shtetas të ndryshëm, kundrejt përfitimeve monetare.

Në cilësinë e provës material u sekuestruan 26 dokumente shkollore të paplotësuara, por të pajisura me vulën e shkollës së mesme, vula e shkollës 9-vjeçare, 5 USB, 1 celular, si dhe shumat e parave 640 euro dhe 16 000 lekë, të dyshuara të përfituara nga kjo veprimtari kriminale.

Vijojnë veprimet hetimore për të identifikuar dhe nxjerrë përpara përgjegjësisë penale shtetasit e tjerë që mund të jenë të implikuar në këtë rast.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprime të mëtejshme./Albeu.com/

 


Shtuar 20.04.2023 11:44