300 euro për të kaluar kufirin, 4 të arrestuar dhe 2 në kërkim në Elbasan

Katër persona kanë rënë në prangat e policisë, ndërsa në kërkim u shpallën 2 shtetas të tjerë. Burime zyrtare nga policia bënë me dije se në kuadër të operacionit të koduar “Rrezja 1”, u arrestuan shtetasit Xhulian Drymishi, 29 vjeç dhe Romeo Drymishi, 23 vjeç, Eralbi Koliqi, 21 vjeç si dhe Jorid Muceku, 22 vjeç.

Këta shtetas, në bashkëpunim me shtetasit Gentian Sula dhe Ardenis Dreni ( të arrestuar në flagrancë më datë 28.09.2020), kanë kryer në mënyrë të organizuar veprimtarinë kriminale të dhënies ndihmë shtetasve me origjinë nga vendet e treta, për kalim të paligjshëm të kufirit, duke bërë transportimin e tyre nga Korça drejt Tiranës, kundrejt fitimit 250-300 euro për person.

Nga hetimet ka rezultuar se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, në kohë të ndryshme, kanë transportuar një numër të konsiderueshëm personash, të cilët janë bllokuar nga shërbimet policore, pa mundur të kalojnë kufirin. Në cilësinë e provave materiale janë sekuestruar 6 automjete dhe 11 aparate celular. Vijojnë hetimet për identifikimin e shtetasve të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet kriminal. Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan, për veprime të mëtejshme.


Shtuar 8.04.2021 10:04