27-vjeçari u arrestua për vjedhje në Tiranë dhe përfundoi në koma, policia fshehu ngjarjen: Po hetojmë shkaqet

 

Jani Rustemaj, 27-vjeçari i cili u arrestua dy javë më parë për vjedhje ndodhet aktualisht në gjendje kome.

Për këtë, e ëma e tij ngriti dyshimin se kjo gjendje e të birit vjen si pasojë e pakujdesisë nga ana e rendit. Ky rast qarkulloi në media dhe nuk u raportua nga ana e policisë. Pra ngjarja u fsheh nga blutë e Tiranës që 27-vjeçari përfundoi në gjendje kome pas arrestimit të tij për vjedhje.

Pas daljes së lajmit  në media, policia e Tiranës ka bërë një sqarim ku thotë se po heton shkaqet. Në njoftimin nga ana e policisë listohen ditët kur Jani Rustemaj është dërguar për ndihmë mjekësore sipas ditëve.

Deklarata e policisë:

Më datë 12.04.2023, është arrestuar shtetasi J. R., për veprën penale “Vjedhja”, parashikuar nga neni 134 i Kodit Penal. (Për këtë arrestim është dhënë njoftim për shtyp me datë 13.04.2023).

Me datë 14.04.2023, kohë që ky shtetas ka qenë në Bllokun e Sigurisë te DVP Tiranë, ka shfaqur shqetësime shëndetësore, dhe nga strukturat që merren me sigurimin e të ndaluarve dhe arrestuarve është njoftuar shërbimi i emergjencës mjekësore, të cilët janë paraqitur në ambientet e Bllokut të Sigurisë dhe pas ndihmës mjekësore të dhënë, gjendja e tij është përmirësuar.

Me datë 15.04.2023, ky shtetas është shoqëruar në ambientet e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, ku kjo Gjykatë ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”.

Me datë 16.04.2023, pas daljes së urdhrit të ekzekutimit të masës së sigurisë nga Prokurori, është përgatitur dokumentacioni i nevojshëm, dhe ky i arrestuar është dërguar në IEVP-313, Tiranë. Autoritetet e IEVP 313, nuk kanë pranuar që ta marrin në dorëzim për shkak të mbingarkesës në këtë institucion dhe në këto kushte ai është rikthyer dhe vendosur përsëri në Bllokun e Sigurisë Tiranë.

Me datë 17.04.2023, shtetasi J. R., ka shfaqur përsëri shqetësime shëndetësore dhe pas ardhjes së emergjencës shëndetësore është transportuar në spitalin “Nënë Tereza”, ku dhe është shtruar dhe në ambientet e spitalit është siguruar me punonjës Policie të DVP Tiranë. Në zbatim të urdhrit të ekzekutimit të Prokurorit, me datë 19.04.2023, në ambientet e spitalint “Nënë Tereza”, është marrë në ruajtje nga strukturat e Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve.

Më datë 30.04.2023, në Komisariatin e Policisë Nr. 3, Tiranë, është paraqitur dhe ka bërë kallëzim shtetasja P. R., (nëna e të arrestuarit) e cila ka ngritur pretendime për trajtimin shëndetësor të djalit të saj.

I riu u arrestua më 12 prill, dy ditë më pas ai filloi të shfaqte probleme shëndetësore dhe mori ndihmë mjekësore.

Një ditë më pas, më datë 15 Jani Rustemaj është shoqëruar në gjykatë ku është njohur me masën e sigurisë “Arrest me burg”.

Ditën tjetër, Jani Rustemaj shfaqi sërish shqetësime, por Burgu 313 nuk e mori përsipër sepse kishte mbingarkesë dhe ai u mbajt në burgun e sigurisë. Më pas, më datë 17 27-vjeçari është shoqëruar në QSUT.

E ëma e të riut kallëzoi në polici në fund të prillit, pasi i biri përfundoi në gjendje kome. Mamaja ka ngritur dyshimet e saj për policinë e Tiranës pas arrestimit të djalit të saj./Albeu.com/

 


Shtuar 2.05.2023 09:20