Sot 24 vjet më parë është vrarë Azem Hajdari. Kreu i PD-së Sali Berisha ka marrë pjesë në ceremoninë përkujtimore. Në një deklaratë për media, Berisha u shpreh se me lëvizjen studentore, Azem Hajdari vazhdon të mbetet një frymëzim për shqiptarët.
“Azem Hajdari hyri në historinë e Kombit tonë si shqiptari që me një grup të guximshëm studentësh bënë më shumë se kushdo tjetër për lirinë e Shqipërisë dhe shqiptarëve. Në dhjetorin ‘90 Shqipëria kishte mbetur vendi i vetëm ish-komunist ne Europë nën diktaturën stalisniste dhe në monizmin e plotë. Përpjekjet e shqiptarëve për të dalë prej kësaj diktature, sakrifica e tyre më të jashtëzakonshme për liri, dinjitet njerëzor dhe kombëtar, u ndeshën me shtypjen më të egër. Çdo akt kundërshtie ndaj regjimit, ishte i barabartë me hapjen e dyerve të burgut apo varrit për shkak të shtypjes së regjimit stalinist. Në këto rrethana Azem Hajdari guxoi të dalë në një protestë të fuqishme me studentët, të vihet në një mënyrë epke në krye të kësaj lëvizjeje e cila në një hark kohor tre ditor solli gjunjëzimin e regjimit dhe vendosjen e pluralizmit. Me këtë akt Azem Hajdari dhe bashkatdhetarët e tij ndanë epokat dhe sistemet. Për këtë akt, Azem Hajdari u ekzekutua më 12 shtator të vitit 1998, nga përfaqësues kriminelë, vrasës me uniformë, kapitenë të regjimit. Por ai është dhe mbetet frymëzim i madh për Shqiptarët. Mbetet i përjetshëm në veprën e tij. Sot me mesazhin e tij, ai është më i gjallë se kurrë”, tha Berisha.
Në ceremoninë përkujtimore shihen disa figura politike, bashkëshortja e Azem Hajdarit si dhe e bija Rudina Hajdari bashkë me vazjën e saj Sihana./albeu.com
https://www.facebook.com/SaliBerisha/videos/784205776158237