Në fillim të këtij viti, monedha e përbashkët europiane mbushi 20 vjet prej daljes për herë të parë në qarkullim si monedhë fizike. Për Shqipërinë, dalja e Euros do të shënonte një moment kthese dhe i dha origjinë një zgjerimi të shpejtë të Euros si monedha alternative në transaksionet ekonomike të vendit. Por, hyrja e Euros ishte një moment që shtroi disa sfida për bankat tregtare në Shqipëri dhe sidomos për bankën më të madhe në atë kohë, Bankën e Kursimeve.
Ersuin Shehu
Megjithëse në fillim të viteve 2000 ishin licencuar tashmë disa banka të tjera tregtare me kapital të huaj, pesha e tyre në treg ishte ende shumë e vogël dhe Banka e Kursimeve ishte dominuese në treg. Bankës me kapital shtetëror i duhej të siguronte një sasi fillestare valute për të qenë gati për t’iu përgjigjur nevojave të klientëve që më 1 janar 2002.
Duke qenë bankë e një shteti jashtë Eurozonës dhe pa një bankë mëmë nga këto vende, sigurimi i sasisë fillestare të valutës nuk ishte një proces i thjeshtë. Edvin Libohova, në atë kohë Drejtor i Përgjithshëm i Bankës së Kursimeve, tregon se kalimi normal në Euro ishte një sfidë, sepse banka kishte një rrjet shumë të madh dhe në atë kohë nuk ekzistonte ky nivel komunikimi dhe ndërlidhjeje që ekziston sot.
Përveçse ishte banka më e madhe, Banka e Kursimeve ishte akoma bankë shtetërore dhe, sipas z.Libohova, kishte edhe një përgjegjësi edhe më të lartë ndaj shtetit dhe publikut për të garantuar një proces normal të kalimit në euro.
“Kishim mbi 200 degë dhe agjenci, të gjitha duhet të ishin të gjitha të gatshme për t’iu përgjigjur nevojave për euro që nga fillimi i janarit. Edhe shpërndarjen e parasë ne e bënim me mjetet tona. Kishte një sfidë të menaxhimit të cash në fazën e hedhjes në qarkullim të euros.
Duhet të kishim euro gjendje të paktën për periudhën e parë, duke llogaritur flukset e pritshme të tërheqjes së euros në cash. Nuk bëhej fjalë vetëm për depozitat, por edhe pagesat e ndryshme të biznesit, nevojat për euro në udhëtimet jashtë vendit, etj. Kishte një ngarkesë shumë të madhe edhe në zyra, në backoffice.
Sistemi duhet të përshtatej nga 3-4 monedha që përdornim duhet të kthehej në një monedhë. Duhet të përshtatnim aparatet e kontrollit për euron, duhej trajnuar stafi në radhë të parë, sepse euro ishte valutë e re, punonjësit nuk e kishin parë ndonjëherë me sy. Në këtë proces na ndihmoi eksperienca dhe përkushtimi i stafit në të gjithë rrjetin.
Kjo kombinohej edhe me mbylljen e vitit financiar, sepse paralelisht me këtë process duhej bërë edhe mbyllja e bilanceve. Gjithashtu, në atë periudhë kishte shpallur edhe privatizimin e Bankës së Kursimeve. Paralelisht, ne zhvillonim takime në shtete të ndryshme për të afruar investitorë. Në atë periudhë ne rikonstruktuam fizikisht të gjitha degët për ta bërë bankën të shitshme,” thotë z.Libohova.
Eurot e para u siguruan falë Commerzbank
Në vitin 2001 ishte shpallur dalja në qarkullim e Euros që nga fillimi i vitit 2002 dhe të gjitha institucionet financiare kishin marrë masat si të kalonin nga sistemi i monedhave ekzistuese në monedhën e përbashkët. Për t’i paraprirë, që nga viti 2000 u hartuan edhe kurset fikse të këmbimit. Gjatë vitit 2001, të gjitha transaksionet që bëheshin në bankat ndërkombëtare ekuivalentoheshin në euro. Problemi ishte momenti i daljes në qarkullim.
Adrian Shehu, ish-Drejtor i Thesarit në Bankën e Kursimeve në atë kohë, tregon se për bankën më të madhe në vend në atë kohë ishte sfidë sigurimi i bankënotave, për t’iu përgjigjur nevojave të klientëve që nga fillimi i vitit. Duke mos qenë vend i Eurozonës dhe larg pritshmërive për të qenë në Eurozonë, bankat shqiptare duhet të dilnin vetë në treg për të siguruar valutën.
“Gjëja e parë që duhet të bënim ishte të siguronim bankënotat e euros, që të ishim gati për daljen e monedhës në qarkullim më datë 3 janar. Fillimisht, morëm kontaktet e para me bankat korrespondente, kryesisht me Raiffeisen.
Çuditërisht, prej tyre na erdhi një përgjigje që procesi i aplikimeve me kërkesat e të gjithë shteteve për sasinë e bankënotave ishte mbyllur që në muajin maj. Ata na sugjeruan të kontaktonim bankën qendrore që të na asistonte. Iu drejtuam Bankës së Shqipërisë, por ata na u përgjigjën që duhet ta zgjidhnim vetë këtë çështje. Bankat me kapital të huaj e kishin zgjidhur këtë çështje nëpërmjet aksionerëve apo bankave mëmë,” tregon z.Shehu.
Siç ndodh shpesh në biznes, zgjidhja u gjet falë kontakteve dhe njohjeve personale.
Hyrja e euros fizike
“Gjëja e parë që duhet të bënim ishte të siguronim bankënotat e euros, që të ishim gati për daljen e monedhës në qarkullim më datë 3 janar. Fillimisht, morëm kontaktet e para me bankat korrespondente, kryesisht me Raiffeisen. Çuditërisht, prej tyre na erdhi një përgjigje që procesi i aplikimeve me kërkesat e të gjithë shteteve për sasinë e bankënotave ishte mbyllur që në muajin maj. Ata na sugjeruan të kontaktonim bankën qendrore që të na asistonte. Iu drejtuam Bankës së Shqipërisë, por ata na u përgjigjën që duhet ta zgjidhnim vetë këtë çështje. Bankat me kapital të huaj e kishin zgjidhur këtë çështje nëpërmjet aksionerëve apo bankave mëmë,” tregon z.Shehu. Siç ndodh shpesh në biznes, zgjidhja u gjet falë kontakteve dhe njohjeve personale.
“Unë pata bërë një specializim në Commerzbank dhe kisha disa kontakte aty. Pas i kontaktova, ata na dhanë gatishmërinë e tyre për të na mbështetur. Na erdhi një dokumentacion me postë nga Commerzbank dhe firmosëm një marrëveshje për marrjen në administrim të një sasie të caktuar të euros. Bëhej fjalë për 10 milionë euro. Na dhanë edhe interes për shumën e valutave që do të depozitonim deri në datë 2 janar, duke qenë se euroja deri në atë datë nuk mund të dilte në qarkullim. Ka qenë mesi i muajit shtator kur dërguam kontratën e firmosur,” tregon ai.
Në fund të shtatorit, Commerzbank dërgoi sasinë e parë të eurove të porositura nga Banka e Kursimeve. Në këtë moment, shtrohej një shqetësim i ri, i lidhur me sigurinë. Ky ishte një problem më vete, edhe sepse euro nuk duhet të dilte në qarkullim deri më datë 3 janar.
Dalja para kohe e kartëmonedhave do ta ngarkonte bankën me përgjegjësi të rënda ligjore, sipas kontratave të firmosura. Zakonisht, bankat mbajnë sasi të vogla të valutave të huaja gjendje, ndërsa në pjesën më të madhe ato depozitohen në llogari pranë bankave korrespondente. Duke qenë se një shumë e konsiderueshme e eurove duhej ruajtur deri në muajin janar,
Banka e Kursimeve kërkoi ndihmën e Bankës së Shqipërisë, por mori përgjigje negative. Në këto kushte, paratë u ruajtën te thesari i Bankës së Kursimeve, me një lloj shqetësimi që mund të bëhej edhe objekt sulmesh.
Z.Shehu tregon se më tej u hartua një plan të detajuar për shpërndarjen e bankënotave në degët e bankës, si edhe seminare me të gjitha degët e bankave për t’i njohur me monedhën e re dhe me procedurat që do të kryheshin.
Paralelisht, u zhvilluan edhe disa aktivitete publike dhe intervista në media me qëllim sensibilizimin dhe informimin. Sipas tij, në atë periudhë ekzistonte edhe një tendencë interesante: shumë njerëz i mbanin depozita në degët e qyteteve të tjera, sepse nuk donin të merrej vesh nga punonjësit e bankave në qytetin e tyre sa para kishin.
“Në fund të nëntorit, na vjen një kërkesë nga Banka e Shqipërisë për gjashtë milionë euro. Ata kishin marrë kërkesë nga banka të tjera dhe kjo shumë u nevojitej për të plotësuar kërkesën e tregut. Për disa banka të huaja ishte surprizë që Banka e Kursimeve kishte marrë euro. Ju drejtuam përsëri Commerzbank dhe gjej rast të theksoj se i jemi shumë mirënjohës atyre për mbështetjen që na dhanë në atë situatë.
Ata na u përgjigjën me shaka me pyetjen: a jeni bankë tregtare apo bankë qendrore? Sigurisht, Banka qendrore e kishte të gjithë tagrin për t’iu drejtuar Bankës Qendrore Europiane dhe për të kërkuar të siguronte valutën e nevojshme. Megjithatë, ata pranuan sërish të na ndihmojnë dhe siguruam gjashtë milionë euro edhe për bankën qendrore,” thotë z.Shehu.
Më datë 3 janar, kur u hapën degët e bankave, njerëzit që u paraqitën në sportele patën mundësi të merrnin euro normalisht.
“Kalimi në euro u bë në mënyrë shumë të natyrshme, sepse nuk pati për asnjë moment mungesë të euros në treg. Ne kishim sasi të konsiderueshme valute në marka, dhrahmi dhe lireta, të lidhura kryesisht me emigracionin dhe remitancat. Me aq para sa siguruam fillimisht, ishim në gjendje të punonim të paktën për 10 ditët e para të janarit pa pasur nevojë të konvertonim valutë tjetër në euro fizike. Sidoqoftë, në atë periudhë nuk pati tërheqje të mëdha të depozitave në valutë, shumica dërrmuese mbajtën të njëjtën depozitë që kishin, që u konvertua automatikisht në euro.
Problemi ishte më shumë për ata njerëz që kishin valutë në shtëpi dhe donin t’i kthenin në euro pas janarit. Ideja ishte që çdo klient të ndjehej komod dhe të gjente shërbim për monedhën që donte të këmbente. Një pjesë menduan të vinin në Tiranë, por ne i çuam në të gjitha degëve të bankave valutë të mjaftueshme për ditët e para dhe nuk na rezultoi asnjë degë që të mos kishte valutë të mjaftueshme për t’iu përgjigjur kërkesave,” thotë z.Shehu.
Më tej, nuk pati probleme në konvertimin e gjithë valutës së huaj dhe procesi vijoi gradualisht. Bankat arkëtonin valutat e tjera, i depozitonim pranë bankave korrespondente dhe ato konvertoheshin në euro. Banka Qendrore Europiane kishte caktuar një periudhë 6-mujore që i gjithë këmbimi i bankënotave në euro bëhej pa penalitete.
Paratë “nën dyshek”: Priteshin 30 milionë euro, hynë 5-6 milionë
Një çështje tjetër e lidhur me daljen në qarkullim të euros ishte pastrimi i parave dhe evidentimi valutës që individët e mbanin jashtë sektorit financiar. Duke qenë se valutat ekzistuese nuk do të përdoreshin më, ato duhet të këmbeheshin me euro pas 1 janarit 2002.
Përveç bankave, edhe zyrat e këmbimit valutor duhet të regjistronin çdo transaksion blerjeje, sepse ato grumbullonin me pakicë dhe bënin këmbimin me shumicë të valutave të tjera në euro, pranë bankave. Në atë periudhë, rregullat dhe kërkesat kundër pastrimit të parave ishin shumë larg atyre që ekzistojnë sot. Vetë struktura kundër Pastrimit të Parave në Shqipëri sapo ishte krijuar.
Llazi Balliu, ish-drejtor i Financës dhe Kontabilitetit në Bankën e Kursimeve shprehet se ishte krijuar një pritshmëri për pastrimin e parave, në momentin që njerëzit do të këmbenin valutën që kishin akumuluar dhe që e mbanin në shtëpi.
“Kishin kaluar 10 vjet nga ndryshimi i regjimit dhe natyrisht ishte krijuar një gjendje e parasë informale apo parasë së zezë. Ne duhet të bënim identifikimin e të gjithë klientëve që depozitonin valutë dhe, nëse do të kishim indicie për pastrim të parave, duhet të sinjalizonim në strukturën përkatëse. Megjithatë, unë nuk mbaj mend të kemi pasur ndonjë rast të tillë.
Në fakt, ky fenomen nuk rezultoi në ato përmasa që ne prisnim. Parashikimet tona ishin që paraja cash që do të grumbullohej për t’u kthyer në euro të shkonte mbi 30 milionë euro. Në fakt, shtesa si efekt i grumbullimit të parave në dyshek mund të vlerësohet në 5-6 milionë euro gjithsej. Nga kjo arritëm në konkluzionin se përmasa e parasë së zezë apo informale nuk ishte aq e madhe sa mund të mendonim dhe se vlerësimet për të ishin të tepruara,” thotë z.Balliu.
Ai është i mendimit se edhe sot vlerësimet për paranë e zezë që qarkullon në ekonomi janë të fryra.
“Mund të pranojmë se ekziston një lloj paradoksi, i lidhur sidomos me tregun dhe çmimet e pasurive të paluajtshme. Por, duke të kemi parasysh edhe zhvillimin dhe fuqizimin ekonomik. Një nga faktorët është roli dhe trysnia e një klase ndërtuesish që është fuqizuar dhe nuk ka urgjencë për të shitur. Nuk përjashtoj as fenomenin e pastrimit të parave, që natyrisht është më i madh se në vitin 2002, por nuk mendoj se është në ato përmasa që perceptohet nga opinioni publik,” shprehet z.Balliu.
A u pastruan para?!
“Kishin kaluar 10 vjet nga ndryshimi i regjimit dhe natyrisht ishte krijuar një gjendje e parasë informale apo parasë së zezë. Ne duhet të bënim identifikimin e të gjithë klientëve që depozitonin valutë dhe, nëse do të kishim indicie për pastrim të parave, duhet të sinjalizonim në strukturën përkatëse. Megjithatë, unë nuk mbaj mend të kemi pasur ndonjë rast të tillë.
Në fakt, ky fenomen nuk rezultoi në ato përmasa që ne prisnim. Parashikimet tona ishin që paraja cash që do të grumbullohej për t’u kthyer në euro të shkonte mbi 30 milionë euro. Në fakt, shtesa si efekt i grumbullimit të parave në dyshek mund të vlerësohet në 5-6 milionë euro gjithsej.
Historia eEuros
Vendimi për të krijuar një monedhë të përbashkët europiane dhe emërtimi i saj si Euro u mor zyrtarisht në dhjetorin e vitit 1995. Në atë vit, Instituti Monetar Europian (paraardhës i Bankës Qendrore Europiane) vendosi edhe datën të hyrjes në fuqi të Euros, 1 janari i vitit 1999. Që nga ajo datë, hynë në fuqi edhe kurset fikse të konvertimit me euron të secilës prej monedhave kombëtare të vendeve të Eurozonës.
Fillimisht euro nuk ekzistonte në formën e një valute fizike, por si një monedhë virtuale, që mund të përdrej në transferta elektronike, çeqe udhëtarësh, etj. Gjithashtu, prej kësaj date të gjitha insturmentet e borxhit të vendeve që do zëvendësonin monedhat e tyre ekzistuese me monedhën e përbashkët u denominuan në euro. Megjithatë, valutat ekzistuese do të vazhdonin të kishin kurs ligjor dhe do të përdoreshin në si mjete pagesash deri në 1 janar 2002, kur euro u hodh në qarkullim si monedhë fizike.
Kalimi në euro nuk ishte një puna e lehtë për vendet anëtare të Bashkimit Europian. Në total, 7.4 miliardë kartëmonedha dhe 38.2 miliardë monedha do të ishin në dispozicion për t’u shpërndarë te konsumatorët dhe bizneset më 1 janar 2002.
Ndërkohë, një detyrë paralele ishte edukimi i publikut evropian për monedhat e reja. Shitësit me pakicë dhe agjencitë qeveritare kishin gjithashtu një detyrë të konsiderueshme. Për artikujt që do t’i shiteshin publikut, zakonisht përdorej çmimi i dyfishtë, në valutën kombëtare dhe në euro.
Bankat kishin një detyrë të madhe, jo vetëm në përgatitje për ndërrimin e kartëmonedhave dhe monedhave, por edhe në proceset e back office. Duke filluar nga viti 1999, të gjitha depozitat dhe huatë mbaheshin teknikisht në euro, por depozitimet dhe tërheqjet vazhduan në monedhën e trashëguar. Pasqyrat e lloagarive duhet të mbaheshin në të dyja monedhat duke filluar jo më vonë se 1 korriku 2001 dhe më herët nëse kërkohet nga nevojat e klientit.
Shumica e vendeve anëtare lejuan që kartëmonedhat dhe monedhat ekzistuese të kishin kurs ligjor paralel deri në 28 shkurt 2002, (me përjashtim të Gjermanisë, ku prej 1 janarit 2002 markat nuk mund të përdoreshin për pagesa duhet të këmbeshin në euro pranë bankave) ndërsa afati ligjor për t’i kthyer valutat e vjetra në euro pranë bankave u caktua 30 qershori 2002.
Në vitin 1999, kur euro hyri në përdorim si valutë, në Eurozonë bënin pjesë 11 vende anëtare të Bashkimit Europian. Në vitin 2000, Eurozonës iu bashkua edhe Greqia, ndërsa Danimarka vendosi me një referendum popullor të qëndronte jashtë. Vendi i parë që iu bashkua Euros pas daljes së saj në qarkullim si monedhë fizike ishte Sllovenia, në vitin 2006.
Më pas, në Eurozonë hynë njëra pas tjetrës edhe Qipro, Malta, Sllovakia, Estonia, Lituania dhe Letonia. Tetë vende të Bashkimit Europian ende nuk janë bërë pjesë e Eurozonës (përfshi këtu edhe Danimarkën). Euro përdoret gjithashtu si monedhë zyrtare edhe në vende që nuk janë pjesë e Bashkimit Europian, si Kosova dhe Mali i Zi./Monitor