2 efektivë policie në Tiranë gjejnë një pistoletë tip “TT” në makinën e shërbimit, dyshimet e para

Një rast i paprecedentë ka ndodhur në komisariatin nr.1 të Tiranës.

Mbrëmjen e 20 shtatorit një efektive e patrullës së bashku me kolegun e saj kanë gjetur një armë zjarri brenda automjetit të shërbimit.

Fillimisht, punonjësja e policisë ka humbur një send personal dhe ka kërkuar së bashku me kolegun në mjet. Në pjesën e poshtme të sediljes së pasagjerit kanë gjetur një çantë të zezë meshkujsh të mbuluar me pluhur. Kur e kanë hapur brenda saj kanë gjetur një pistoletë TT.

Arma është dërguar në laborator për shenjat e gishtave. Dyshohet se arma mund të jetë lënë nga ndonjë person i shoqëruar që ka qenë i armatosur. Ai dyshohet se ka përfituar nga mungesa e vëmendjes së efektivëve dhe e ka fshehur.

Akoma nuk dihet sesa kohë ka patur arma e fshehur brenda makinës së policisë ndaj hetuesit nuk kanë akoma ndonjë emër të dyshuar.

Në hetime ka marrë pjesë edhe Agjencia e Mbikëqyrjes Policore./Albeu.com


Shtuar 21.09.2023 09:32