13-vjeçarja shqiptare kampione Evrope në shah: Fundi i garës më emocionoi, u skuqa nga stresi

“Ishte shumë emocionuese, sidomos kur ishim në fund të garës. Në ato ndeshje unë bëhesha komplet e kuqe nga stresi.”

Këto janë fjalët e Kler Cakut, 13-vjeçarja që i ka dhënë kënaqësinë e vendit të parë, jo vetëm vetes, por dhe të gjithë sportit të shahut në Shqipëri.

Pak ditë më parë, në Kampionatin Evropian të Shahut, të mbajtur në Rapid të Sllovenisë,  ajo u shpall kampione.

“Ishin përgjithësisht nga Ukraina, Kroacia, Sllovenia, Sllovakia. Loja më e fortë u zhvillua me një nga Sllovenia, por lojtarja më e fortë, të cilën unë e munda ishte një nga ukrainase”, u shpreh Caku.

Historia e marrëdhënies së saj me shahun është dëshmi, se në sportin e katrorëve bardhezi, nuk duhet fat, por inteligjencë.

Lexo edhe: Kler Çaku, 13-vjeçarja shqiptare shpallet kampione Europe në shah

“Kam 5 vite që merrem me shahun, e kam filluar kur isha 8 vjeçe. Kampionati im i parë ishte në Shqipëri, Kampionati i shkollave, por aty nuk u ndava shumë mirë, sepse kampionati i parë, sa kisha filluar”,  tregoi Kleri.

“Kam qenë më parë në një Kampionat Europian në Greqi, por aty isha më e vogël, kisha më pak eksperiencë dhe zura vetëm një vend të tretë. Kurse këtë vit më shumë eksperiencë, kam punuar më shumë dhe puna m’u shpërblye”, shtoi ajo.

Këtë pohon edhe kreu i Federatës Shqiptare të Shahut, Erald Dervishi.

Sipas tij, Kler Caku premton shumë për të ardhmen dhe vëmendja ndaj saj është maksimale.

“Kleri është një vajzë shumë inteligjente, shumë e talentuar, një shahiste e mrekullueshme. Shpresojmë që të gjithë këto elemente ta bëjnë Klerin jo vetëm Kampione Europe tani, por edhe tek të rriturit”,  tha Dervishi, shkruan Euronews. 

Për të shkroi edhe kryeministri Rama, por për këtë të fundit, trajneri i Kler ka disa vërejtje.

“I bëj thirrje kryeministrit dhe e përgëzoj, që i inkurajon fëmijët për rezultatet që arrijnë, por kjo është e pamjaftueshme, sidomos për Tiranën, që nuk ka asnjë sallë shahu”, deklaroi Kristaq Andoni.

“Puna është që shteti duhet të ndihmojë më shumë. Nuk mjafton të marrësh medalje a të përfaqësohesh, pasi që të arrish të tjerët duhet të marrësh pikë, të shkosh në shumë gara, gjë që është e pamundur, sepse këta duhet të shoqërohen nga një njeri dhe shpenzimet dyfishohen. Këta shahistë nuk kanë marrë shpenzimet e prapambetura, që natyrisht në bazë të vendimit të qeverisë u takon”, shtoi ai.

Në kampionatin evropian të Shahut për moshat deri në 14 vjeç, Kler siguroi 7 fitore dhe 2 barazime.


Shtuar 4.10.2023 21:09