“120 mijë euro udhëtim me charter”, Rama u përgjigjet me ironi akuzave të opozitës: 7×7 brava, baras 42 fluturime

Kryeministri Edi Rama i është përgjigjur akizëve të Partisë Demoktatike në lidhje me udhëtimin me charter, ku sipas opozitës ka shpenzuar 120 mijë euro karburant të cilat janë paguar me taksat e shqiptarëve. Rama u është përgjigjur të gjitha pyetjeve që ngriti deputetja demokrate Orjola Pampuri dhe në fund, me ironi tha: “shifra 120 mijë euro karburant për fluturim privat, është produkt i të njëjtës aritmetikë fantastiko-shkencore, që nga 1958 ulëset e Pallatit të Kongreseve nxori 5004 delegatë. Po t’i shumëzosh këta delegatë me 30 dhe pastaj të zbresësh 30, dalin fiks 120 mijë euro karburant për 7×7 brava, baraz 42 fluturime”.

Orjola Pampuri: Vetëm disa ditë më parë, Rama ka udhëtuar me charter privat, jo për të zgjidhur ndonje hall të shqiptarëve por për qejfet e veta. Edi Rama harxhon paratë e taksave të shqiptarëve për të pastruar imazhin e tij të zi si njeriu që drejton qeverinë më të korruptuar në Europë, si njeriu që veshi me pushtet kriminelët dhe që ka shndërruar në sistem shitblerjen e votës. Vetëm për karburantin e një udhëtimi qejfi të Edi Ramës, harxhohen 120 mijë euro nga paratë e shqiptarëve”, tha Pampuri në konferencën për shtyp pak ditë më parë.

Postimi i Ramës:

Ndiqeni një minutë ju lutem, se si pasi 5004 delegatë u ulën në 1958 karrige, 345 Euro prodhuan 120 mijë Euro karburant…

Përmbajtja e videos:

Pampuri: Rama ka udhëtuar me charter privat, jo për të zgjidhur ndonjë hall të shqiptarëve por për qejfet e veta.  Edi Rama harxhon paratë e taksave të shqiptarëve.

Rama: nNë fakt jo, unë jam i pari kryeministër në këtë vend qëudhëtimet e mia shumë të rralla private me familjen, nuk i bëj kurrë me shpenzimet e shtetit.

Pampuri: A përdore charterin privat  për të dhënë intervistë për ”Manager Magazine”?

Rama: Jo, kam përdorur me biletë vajtje-ardhje, ulëset ekonomike tëLufthanses, së bashku me gruan dhe djalin e vogël.

Pampuri: Sa para ke shpenzuar vetëm për charterin në këtë udhëtim luksi?

Rama: Bileta ekonomike e Lufthanses ka kushtuar 345 Euro.

Pampuri: Kush ka firmosur për udhëtimet e tij?  Kush i ka paguar ato?

Rama: Mesatarja vjetore e shpenzimeve për udhëtimet e mia zyrtare, të cilat paguhen nga fondi i kryeministrisë, është më e ulët se sa mesatarja vjetore e shpenzimeve të paraardhësve të mi, për arsyen e thjeshtë se ata udhëtonin në businessclass ndërsa unë kam udhëtuar thuajse tërësisht në ekonomik, me përjashtim te ndonjë rasti të veçantë – e njëjta gjë edhe për ministrat. Ndërkohë qysh prej vitit 2020, kur kishim presidencën e OSBE, u bë një marrëveshje me kompaninë Air Albania dhe shpenzimi për vitin 2021 ishte nën mesataren e viteve të mëparshme.

Pampuri: Vetëm për karburantin e një udhëtimi qejfi të Edi Ramës, harxhohen 120 mijë euro nga paratë e shqiptarëve.

Rama: Sasia më e lartë vjetore e shpenzimeve për udhëtimet e mia zyrtare ka qenë 4.623.089 lek në vitin 2014. Ndërsa shifra 120 mijë euro karburant për fluturim privat, është produkt i të njëjtës aritmetikë fantastiko-shkencore, që nga 1958 ulëset e Pallatit të Kongreseve nxori 5004 delegatë. Po t’i shumëzosh këta delegatë me 30 dhe pastaj të zbresësh 30, dalin fiks 120 mijë euro karburant për 7×7 brava, baraz 42 fluturime.


Shtuar 31.01.2022 15:56

Tags: