“100 ditët e luftës barbare për të shkatërruar Ukrainën…”

Dita e sotme ka qenë dita e 100 e luftës në Ukrainë.

Në këtë ditë ka ardhur edhe reagimi i kryetarit të bashkisë së Kievit, Vitali Klitschko.

“100 ditët e luftës barbare të Rusisë për të shkatërruar Ukrainën dhe ukrainasit…

100 është si një ditë e gjatë dhe e vështirë. Emocione, punë e palodhur, beteja të përgjakshme, humbje dhe vdekje. Megjithatë, është një kohë guximi dhe këmbënguljeje. Ne qëndrojmë dhe luftojmë të gjithë së bashku. Të gjithë në vendin e tyre. Ne i admirojmë forcat tona të armatosura.

Ne do ta çlirojmë tokën tonë nga barbarët rusë që erdhën në të!

Po, do të jetë e vështirë. Por besoj se secili prej nesh do t’i kalojë me dinjitet këto sprova. Sepse kjo është një luftë e së keqes dhe së mirës. Dhe mirësia dhe drejtësia ende fitojnë”, ka shkruar Klitschko.

Ndërkohë, mbi ditën e sotme ka reaguar edhe Kremlini.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, ka folur me gazetarët në konferencën e tij të rregullt, ku tha se Rusia do të vazhdojë operacionin e saj ushtarak në Ukrainë derisa të arrihen të gjitha qëllimet e saj.

“Një nga qëllimet kryesore të operacionit është mbrojtja e njerëzve në DNR dhe LNR. Janë marrë masa për mbrojtjen e tyre dhe janë arritur rezultate të caktuara”, tha Peskov duke iu referuar territoreve të kontrolluara nga Rusia në Luhansk dhe Donetsk.