1/3 e tyre humbin jetën pa arritur në spital, mjeku i njohur tregon komplikacionin që po përhapet në vendin tonë

Dr. Shk. Alfred Nona, mjek kardiolog pranë “Spitalit Amerikan 1” ishte i ftuar këtë të martë në emisionin “Abc-ja e mëngjesit” ku foli për embolinë pulmonare, shkaqet dhe rreziqet që sjell. Dr. Nona shpjegoi se embolia pulmonare është një ndër shkaktarët kryesorë për mortalitet dhe me Covid-19, shifrat janë rritur.

Embolia pulmonare mund të rezultojë fatale për shkak të bllokimit të rrjedhës së gjakut, të shkaktuar si rezultat i mpiksjes së gjakut. Dr. Alfredi thekson se trajtimi në kohë zvogëlon ndjeshëm rrezikun e vdekjes. Mjeku theksoi gjithashtu se shumë pacientë me Covid-19 pësojnë emboli pulmonare.

“Sa i përket prognozës, embolia pulmonare ka pasur një mortalitet diku te 11 përqind përpara pandemisë, shifrat janë më të larta tani. Një pjesë e pacientëve, 1/3 e tyre humbin jetën pa arritur në spital ose kur arrijnë dhe nuk është bërë trajtimi akoma,kur nuk ka pasur kohë trajtimi që të veprojë, arrin deri te 15 përqind mortaliteti në global i embolisë pulmonare.

Verifikimi i rasteve është rritur në mënyrë dramatike sepse kapaciteti diagnostikues është shumë herë më i lartë. Mortaliteti ka ardhur në rënie, ka qenë më i lartë 20 vite më përpara por ka rënie. Kur flasim për mpiksje të gjakut, duhet të shkrijmë këtë gjak të mpiksur dhe duhet të përdorim antikoagulantë. Në bazë të klasifikimit me risk të lartë për vdekshmëri, të mesëm ose të ulët japim terapinë.

Një pacient me risk të lartë për mortalitet akut apo brenda 30 ditëve përdorim trombolitët, holluesit e gjakut. Përdorim medikamente të ndryshme në bazë të fillesës së trombozës.”, tha Dr. Alfredi duke shtuar se kirurgjitë janë më të rralla pasi zakonisht terapitë funksionojnë.

Më tej, Dr. Nona shpjegoi se si shkaktohet hipertensioni pulmonar. “Nëse një gjak i mpiksur nuk është shkrirë siç duhet, ai ngushton enët e gjakut dhe fibritizohet. Nuk shkrihet me hollues dhe jep hipertension pulmonar kronik tromboembolik. Ky lloj është i vetmi që mund të shërohet dhe në saj bëhet një ndërhyrje kirurgjikale.

Hipertensioni është i rëndësishëm se i shkurton jetën pacientin nëse nuk trajtohen në mënyrën e duhur. Identifikohet në bazë të një ekokardiograme, me një skaner për të parë nëse ka ngelur gjak i mpiksur dhe nuk është pastruar siç duhet. Atëherë bëhet katerizimi i zemrës së djathtë dhe vendoset nëse duhet bërë ndërhyrje për pastrimin e enëve të gjakut. “, shpjegoi Dr Alfredi.


Shtuar 18.01.2022 09:19