Gjatë një kontrolli në Pikën e Kalimit Kufitar Hani i Elezit, Dogana e Kosovës ka sekuestruar mjete monetare të padeklaruara në vlerën 13.353,98 euro.
Të lidhura
None found
Ngjarja ka ndodhur më 3 tetor 2026, pasi zyrtarët e Sektorit Antikontrabandë ndaluan për kontroll një automjet të markës Shkoda Superb, me targa të Maqedonisë së Veriut. Automjeti drejtohej nga një shtetas i këtij vendi.
Kur u pyet nga zyrtarët nëse kishte sende apo mjete për të deklaruar, drejtuesi deklaroi se nuk kishte asgjë.
Megjithatë, kontrolli i detajuar në vijën e dytë çoi në zbulimin e 11.980 eurove dhe 84.500 denarëve maqedonas, të cilat ishin fshehur në automjet. Dogana bëri të ditur se këto para nuk ishin deklaruar sipas kërkesave të legjislacionit në fuqi.
Pas konvertimit të denarëve në euro, shuma e përgjithshme e parave të padeklaruara arriti në 13.353,98 euro. Autoritetet doganore i kanë konfiskuar mjetet monetare.
Dogana e Kosovës u ka rikujtuar udhëtarëve se, në bazë të nenit 33, paragrafi 1, të Ligjit Nr. 05/L-096 për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Luftimin e Financimit të Terrorizmit, çdo person që hyn në Kosovë ose largohet prej saj, kur transporton 10.000 euro ose më shumë, apo shumën ekuivalente në valuta të tjera, duhet ta deklarojë atë pranë Doganës së Kosovës.
