Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka bërë të ditur se do t’i dërgojë një letër sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, për t’i kërkuar që të mos lejohet hapja e urës kryesore mbi lumin Ibër në Mitrovicë.
None found
Vuçiq ka thënë se letra do të niset gjatë mbrëmjes së sotme dhe ka shprehur shpresën që kreu i NATO-s do ta shqyrtojë kërkesën e tij.
Presidenti serb ka përsëritur se Serbia do të vazhdojë ta kundërshtojë hapjen e urës, duke deklaruar se për këtë çështje do të “luftojë aq sa mundet”.
Ndërkohë, KFOR-i ka nisur më herët një proces gradual për ndryshimin e pranisë së tij në urën kryesore mbi Ibër.
Ky zhvillim, sipas njoftimeve, lidhet me përmirësimin e gjendjes së sigurisë dhe me përshtatjen graduale të misionit të NATO-s në Kosovë.
Islami: Vuçiqi po përpiqet ta çojë çështjen e urës nga niveli lokal në atë ndërkombëtar
Avni Islami, profesor i shkencave të sigurisë, ka deklaruar për “Bota sot” se Aleksandar Vuçiqi e ka rritur ashpërsinë e retorikës së tij kundër planeve për hapjen e urës kryesore mbi lumin Ibër në Mitrovicë.
Sipas tij, presidenti serb pritet t’i drejtojë Mark Rutte-s një letër zyrtare, përmes së cilës do të kërkojë që ura të mos hapet për qarkullim.
“Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ish-ministër i propagandës në kohën e Millosheviçit, e ka ashpërsuar qëndrimin ndaj planeve për hapjen e urës kryesore mbi lumin Ibër në Mitrovicë.
Ai ka paralajmëruar se do t’i dërgojë sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, një letër zyrtare me kërkesën e qartë që të parandalohet hapja e urës për qarkullim”, ka thënë Islami.
Vlerësimi i tij është se kjo qasje synon të shtojë trysninë ndërkombëtare ndaj Kosovës dhe ta përfshijë drejtpërdrejt KFOR-in në vendimmarrjen rreth urës së Ibrit.
Islami mendon se Beogradi po përpiqet të krijojë përshtypjen se hapja e urës mund të rrezikojë sigurinë e serbëve në Kosovë. Në këtë mënyrë, sipas tij, forcohet edhe narrativa e Vuçiqit si “mbrojtës” i këtij komuniteti.
“Kjo lëvizje e tregon qartë strategjinë e Vuçiqit për ta zhvendosur çështjen nga niveli lokal në arenën më të lartë ndërkombëtare dhe diplomatike.
Duke iu drejtuar drejtpërdrejt kreut të NATO-s, Beogradi synon t’ia heqë Kosovës autoritetin vendimmarrës dhe ta vendosë NATO-n e KFOR-in përballë një përgjegjësie të drejtpërdrejtë për ruajtjen e status-quosë.
Paralajmërimi për dërgimin e letrës zyrtare përbën një përshkallëzim të ri politik dhe shoqërohet me një ekuacion të rrezikshëm sigurie. Përmes kësaj retorike, Vuçiqi synon tri objektiva kryesore: t’i bëjë presion KFOR-it dhe t’i implikojë drejtpërdrejt trupat e NATO-s për të bllokuar vendimet sovrane të institucioneve të Kosovës.
Njëkohësisht, synohet ndërtimi i një narrative ku hapja e urës paraqitet si kërcënim për sigurinë dhe stabilitetin e komunitetit serb, duke e përdorur frikën si mjet presioni. Objektivi i tretë është forcimi i figurës së “mbrojtësit”, përmes propagandës së brendshme se Beogradi mbetet garantuesi i vetëm i sigurisë dhe ekzistencës së serbëve në Kosovë”, ka përfunduar Islami për “Bota sot”.
Shala: Ura nuk është vetëm një rrugë, por simbol i ndarjes së Mitrovicës
Njohësi i sigurisë, Drizan Shala, ka thënë në një bashkëbisedim me “Bota sot” se kundërshtimi i Vuçiqit ndaj hapjes së urës nuk mund të shpjegohet vetëm me argumentet e sigurisë, pasi ai përmban edhe elemente politike dhe strategjike.
Sipas Shalës, ura përfaqëson ndarjen e Mitrovicës, ndërsa hapja e saj do ta dobësonte këtë realitet dhe do ta ngushtonte hapësirën e ndikimit të Beogradit në veri të Kosovës.
“Deklarata e Aleksandar Vuçiqit se do t’i drejtohet Mark Rutte-s me kërkesën që ura kryesore mbi Ibër në Mitrovicë të mos hapet duhet të analizohet përtej rëndësisë simbolike të vetë urës.
Arsyeja e parë pse Vuçiqi e kundërshton hapjen lidhet me faktin se ura e Ibrit nuk është thjesht një objekt infrastrukture. Për më shumë se dy dekada, ajo është shndërruar në simbol të ndarjes fizike, politike dhe psikologjike të Mitrovicës.
Hapja e saj do të sillte pasoja shumë më të gjera sesa lejimi i kalimit të automjeteve, sepse do ta dobësonte rolin e urës si vijë ndarëse.
Për Beogradin, ruajtja e kësaj ndarjeje ka rëndësi politike. Një Mitrovicë e ndarë mund të paraqitet më lehtë si dëshmi e një realiteti ende të pakonsoliduar dhe si argument për ndërhyrjen e vazhdueshme të Serbisë në çështjet e veriut të Kosovës.
Prandaj, kundërshtimi i hapjes nuk duhet parë vetëm si shqetësim për sigurinë e komunitetit serb. Ai ka një prapavijë të dukshme politike dhe strategjike”, është shprehur Shala.
Ai e konsideron kërkesën e Beogradit për përfshirjen e NATO-s në çështjen e urës si përpjekje për të ndërhyrë në një fushë që i përket juridiksionit të institucioneve të Kosovës.
Shala thekson se Serbia ka të drejtë të shprehë shqetësime për sigurinë, por nuk mund t’ia kalojë NATO-s kompetencën për të vendosur nëse infrastruktura në Kosovë duhet të hapet apo jo.
“Nëse synimi i kërkesës është që një autoritet i jashtëm të ndalojë një vendim për funksionimin e territorit dhe infrastrukturës që ndodhen nën juridiksionin e institucioneve të Kosovës, atëherë kemi të bëjmë me një ndërhyrje.
Shqetësimet e Serbisë për sigurinë e serbëve në Kosovë mund të shprehen dhe NATO/KFOR duhet t’i trajtojë ato me seriozitet. Megjithatë, duhet bërë dallimi mes ngritjes së një shqetësimi sigurie dhe kërkesës për përcaktimin e fatit të një infrastrukture në Kosovë.
Në këtë rast, Beogradi po tenton që vendimmarrjen ta zhvendosë nga institucionet e Kosovës te NATO-ja. Kjo është çështja që duhet shqyrtuar me kujdes”, ka thënë ai.
Sipas Shalës, NATO duhet ta vlerësojë me seriozitet kërkesën e Vuçiqit, por ajo nuk duhet të shndërrohet në veto politike ndaj institucioneve të Kosovës.
Ai shton se, në mungesë të kërcënimeve konkrete për sigurinë, ura nuk duhet të vazhdojë të mbetet simbol i ndarjes politike.
“NATO nuk duhet ta shpërfillë kërkesën, por as nuk duhet ta trajtojë atë si urdhër politik.
Qasja më profesionale do të ishte që ta dëgjonte dhe ta analizonte nga këndvështrimi i sigurisë, ndërsa çdo përpjekje për ta përdorur KFOR-in si instrument të vendimmarrjes politike të Beogradit duhet të refuzohej.
KFOR-i ka përgjegjësi për sigurinë dhe stabilitetin, por kjo nuk nënkupton se ai duhet të marrë kompetencat e institucioneve të Kosovës.
Edhe qëndrimi evropian ka qenë se ura duhet të hapet, por në koordinim me partnerët e sigurisë. Për këtë arsye, pyetja kryesore nuk duhet të jetë nëse Vuçiqi e dëshiron hapjen e urës, por nëse ekziston ndonjë kërcënim konkret dhe i verifikueshëm që do ta arsyetonte mos-hapjen e saj.
Nëse ka një kërcënim konkret, ai duhet të përballohet me masa konkrete sigurie. Nëse një kërcënim i tillë nuk ekziston, atëherë argumenti i sigurisë nuk mund të përdoret për të ruajtur një ndarje politike.
Beogradi e kundërshton hapjen në një hapësirë ku institucionet e Kosovës kanë përgjegjësi sepse ura ka peshë simbolike shumë më të madhe se funksioni i saj fizik.
Hapja e saj do të përcillte mesazhin se veriu i Mitrovicës nuk duhet trajtuar si zonë e veçantë politike dhe e izoluar nga pjesa tjetër e Kosovës. Ky mesazh bie drejtpërdrejt ndesh me narrativën politike të Beogradit.
Nga këndvështrimi i sigurisë, duhet shmangur reduktimi i çështjes në një përplasje shqiptaro-serbe. Problemi kryesor është nëse një infrastrukturë publike mund të mbahet e mbyllur pa afat vetëm pse është shndërruar në simbol të një konflikti politik.
Mesazhi nga perspektiva e sigurisë kombëtare duhet të jetë i qartë: institucionet e Kosovës duhet të kenë përgjegjësinë kryesore për rendin publik dhe funksionimin e infrastrukturës në territorin e Kosovës. KFOR-i duhet të garantojë sigurinë brenda mandatit të tij, ndërsa çështjet politike duhet të trajtohen përmes dialogut politik.
Nuk duhet lejuar krijimi i një modeli ku çdo vendim i institucioneve të Kosovës në veri bllokohet përmes presionit politik që Beogradi ushtron mbi NATO-n. Një praktikë e tillë do të krijonte precedent të rrezikshëm.
Në fund, ura e Ibrit nuk është vetëm çështje betoni, asfalti dhe qarkullimi. Ajo është një test për të përcaktuar se kush e vendos normalitetin në veri të Kosovës. Nëse siguria mund të garantohet, lëvizja e lirë duhet të jetë synimi. Nëse ekzistojnë kërcënime, ato duhet të neutralizohen, por siguria nuk duhet të përdoret si pretekst për të ruajtur ndarjen politike.
Për këtë arsye, kërkesa e Vuçiqit duhet të trajtohet me seriozitet diplomatik, por nuk duhet të lejohet që ajo të shndërrohet në veto politike ndaj institucioneve të Kosovës”, ka përfunduar Drizan Shala për “Bota sot”.
Realf ZhivanajRealf Zhivanaj nuk do të jetë më pjesë e ekipit të Partizanit [...]Read More...
Sindikata e Re e KEK-ut reagoi pas vdekjes së një një punëtorit të KEK -ut sot si pasojë e kontaktit…
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i është drejtuar me letër sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, për të kërkuar…
Liverpooli ka marrë një përgjigje negative për ofertën prej 60 milionë eurosh për anësorin e Brightonit, Yankuba Minteh, teksa vazhdon…
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, ka zhvilluar këtë të enjte një vizitë zyrtare në Pustec, ku është pritur…
Më shumë se dy dekada pas debutimit të Bugatti Veyron, një prej makinave që ndryshoi përgjithmonë botën e hipermakinave, marka…