Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Fahrush Rexhepi, është penguar nga protestuesit teksa po dilte nga ndërtesa e Kuvendit të Kosovës.
Të lidhura
None found
Protestuesit e kanë detyruar të rikthehet brenda objektit, duke deklaruar se deputetët nuk do të lejohen të largohen pa u votuar Ligji për Dhomat e Specializuara.
Ngjarja është kundërshtuar nga shefja e Grupit parlamentar të Vetëvendosjes, Arbërie Nagavci, e cila e cilësoi të papranueshme dhe të turpshme mënyrën se si është trajtuar deputeti i VV-së.
Nagavci theksoi se thirrja në emër të UÇK-së nuk mund të përdoret si justifikim për ushtrimin e dhunës, veçanërisht ndaj një personi, familja e të cilit ka paguar me gjak për lirinë e Kosovës.
“Askush nuk fiton të drejtën të ushtrojë dhunë duke u thirrur në emër të UÇK-së, aq më pak ndaj një njeriu, familja e të cilit ka paguar me gjak çmimin e lirisë së Kosovës”, ka deklaruar Nagavci.
Shefja e Grupit parlamentar të Vetëvendosjes e përshkroi si të papranueshme dhe të turpshme sjelljen e protestuesve ndaj Prof. Dr. Fahrush Rexhepit.
Ajo tha se pamjet ku protestuesit e kapin dhe e shtyjnë me forcë një deputet të Republikës së Kosovës nuk përfaqësojnë ushtrimin e së drejtës demokratike për protestë. Sipas saj, qytetarët kanë të drejtë të protestojnë, të kritikojnë dhe të kërkojnë llogaridhënie, por jo të përdorin forcë fizike ndaj një përfaqësuesi të zgjedhur.
Nagavci nënvizoi se rasti bëhet edhe më i rëndë për shkak të figurës së deputetit, i cili është profesor universitar dhe doktor i shkencave të historisë.
Ajo rikujtoi se Rexhepi vjen nga një familje që ka dhënë kontribut të madh për lirinë e Kosovës. Vëllai i tij, Njazi Rexhepi, është Dëshmor i Kombit dhe pjesëtar i Brigadës 138 “Agim Ramadani”, ndërsa ka rënë në Betejën e Koshares.
Vëllai tjetër i deputetit, Jonuz Rexhepi, është veteran i luftës dhe pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Nagavci u bëri thirrje protestuesve që, para se ta kapin, ta shtyjnë apo ta poshtërojnë publikisht Fahrush Rexhepin, të kenë parasysh prejardhjen e tij dhe historinë e familjes së tij.
Sipas saj, askush nuk mund ta fitojë të drejtën për të ushtruar dhunë duke u thirrur në UÇK, aq më pak ndaj një personi, familja e të cilit ka paguar me gjak çmimin e lirisë së Kosovës.
Ajo shtoi se liria për të cilën ranë dëshmorët nuk u fitua që në emër të saj të kapen me forcë deputetët e Republikës së Kosovës.
“Kjo nuk është mbrojtje e vlerave të luftës. Kjo është cenim i tyre”, përfundoi Nagavci.
