Armend Zemaj dhe Florian Dushi kanë depozituar zyrtarisht listat me nënshkrime që kërkojnë thirrjen e Kuvendit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, me qëllim shkarkimin e kryetarit Lumir Abdixhiku.
Të lidhura
None found
Menjëherë pas këtij veprimi, sekretari i partisë, Ilir Ferati, dha një deklaratë për mediat duke sqaruar hapat e mëtejshëm institucionalë.
Ferati bëri të ditur se do të ngrihet një trupë verifikuese e cila do të shqyrtojë vlefshmërinë e firmave të mbledhura dhe vetëm pas përfundimit të këtij procesi do të bëhen publike shifrat konkrete dhe veprimet pasuese.
“Kërkesa së bashku me një kopje të nënshkrimeve është pranuar. Në këtë fazë nuk mund të japim një numër, pasi po hyjmë në procedurë verifikimi. Do të formohet një komision për këtë qëllim. Sapo të kryhet kontrolli paraprak, unë ose kryetari do të dalim me një njoftim zyrtar,” theksoi Ferati.
Dy iniciatorët, Zemaj e Dushi, nuk zbuluan numrin total të firmave të siguruara, por pohuan se ai përmbush kriteret e përcaktuara në statut dhe shprehën pritshmërinë që lëvizja e radhës të jetë në përputhje me rregulloren e brendshme të LDK-së.
Prej disa ditësh, në partinë opozitare është përfolur mundësia e mbajtjes së një Kuvendi të Jashtëzakonshëm, ku fati i udhëheqjes së Abdixhikut do të vendosej përmes votës së delegatëve. Kujtojmë se disa muaj më parë, pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit, ai i mbijetoi një mocioni të ngjashëm, të iniciuar prej tij.
