Varrezat masive që po zbulohen vazhdimisht në Kosovë kanë risjellë në qendër të vëmendjes përmasat e krimeve ndaj shqiptarëve gjatë luftës së viteve 1998–1999.
None found
Dëshmitë e nxjerra nga secili prej këtyre lokacioneve zbulojnë episode të rënda vrasjesh, zhdukjesh dhe krimesh të tjera të kryera nga forcat serbe kundër popullsisë civile.
Sipas ekspertëve të drejtësisë dhe krimeve të luftës, këto prova mund të shërbejnë si bazë e rëndësishme për procedura penale dhe për ndriçimin e plotë të së vërtetës. Megjithatë, për shkak të mandatit të kufizuar të Dhomave të Specializuara të Kosovës, vazhdon të mbetet e paqartë nëse këto raste mund të trajtohen prej kësaj gjykate.
Vlerësimet juridike theksojnë se përgjegjësia për krimet e luftës duhet të kërkohet nëpërmjet institucioneve kompetente vendore dhe ndërkombëtare, duke qenë se krimet e luftës dhe krimet kundër njerëzimit nuk parashkruhen.
Gjetja e varrezave të tjera masive ka shtuar kërkesat për hapjen e arkivave dhe për sqarimin e fatit të mijëra viktimave të luftës. Familjet e personave të pagjetur vazhdojnë të kërkojnë drejtësi, ndërsa insistojnë që autorët dhe urdhërdhënësit të japin llogari para organeve të drejtësisë.
Bajraktari: Kallëzimi penal i një të mbijetuari të Dubravës në Prokurorinë e Specializuar ende pa rezultat publik
Avokati dhe juristi Ardian Bajraktari konsideron se krimet e masakrës së Dubravës duhet të hetohen e trajtohen nga institucionet e drejtësisë në Kosovë. Sipas tij, ndaj të dyshuarve mund të shqyrtohet edhe zhvillimi i gjykimeve në mungesë.
Në një prononcim për “Bota sot”, Bajraktari ka treguar se një i mbijetuar i masakrës së Dubravës kishte dorëzuar më herët kallëzim penal në Prokurorinë e Specializuar, duke kërkuar që të vlerësohej nëse rasti përfshihej në juridiksionin e saj.
Ai ka deklaruar se kallëzimi është paraqitur kohë më parë për të përcaktuar kompetencën e Prokurorisë së Specializuar mbi këto raste, por deri tani nuk është publikuar asnjë informacion nëse është shqyrtuar.
Për Bajraktarin, mungesa e të dhënave publike rreth fatit të kallëzimit e bën të nevojshme ndërmarrjen e veprimeve konkrete nga institucionet e Kosovës për zbardhjen e krimeve.
Ai vlerëson se rastet duhet të kalojnë në trajtim nga drejtësia kosovare, përfshirë mundësinë e gjykimit në mungesë, procedurë që tashmë lejohet nga Kodi i Procedurës Penale.
Masakra e Dubravës llogaritet ndër ngjarjet më të rënda të luftës në Kosovë. Familjarët e viktimave dhe të mbijetuarit vazhdojnë të kërkojnë drejtësi dhe përgjegjësi penale për personat që i kryen krimet.
Racaj: Krimet e forcave serbe nuk parashkruhen, nevojitet presion ndërkombëtar për të zbardhur të vërtetën
Profesori Muhamet Racaj ka thënë për “Bota Sot” se varrezat masive të zbuluara në Kosovë përbëjnë prova të pakundërshtueshme të krimeve të rënda të luftës dhe krimeve kundër njerëzimit, të kryera gjatë viteve 1998–1999 nga forcat ushtarake, policore dhe paramilitare serbe.
Sipas tij, çdo varrezë e re masive që zbulohet e përforcon të vërtetën historike dhe juridike për politikën sistematike të spastrimit etnik, të zbatuar nga regjimi i atëhershëm i Serbisë.
Racaj ka sqaruar se këto krime nuk hyjnë në kompetencën e Dhomave të Specializuara të Kosovës. Ai ka argumentuar se mandati i kësaj gjykate kufizohet në hetimin dhe gjykimin e veprave të caktuara që lidhen me pretendimet ndaj ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Për këtë arsye, sipas profesorit, Dhomat e Specializuara nuk mund t’i gjykojnë krimet e kryera nga forcat serbe.
Racaj ka nënvizuar se kufizimi i juridiksionit të kësaj gjykate nuk do të thotë se autorët duhet t’i shpëtojnë përgjegjësisë. Përkundrazi, provat e reja të siguruara nga varrezat masive duhet të përdoren për ngritjen e aktakuzave pranë mekanizmave kompetentë kombëtarë dhe ndërkombëtarë.
Ai ka rikujtuar se krimet e luftës dhe krimet kundër njerëzimit nuk i nënshtrohen parashkrimit. Si rrjedhojë, autorët mund të ndiqen penalisht pavarësisht numrit të viteve që kanë kaluar.
Në përfundim, Muhamet Racaj ka kërkuar angazhim më të fuqishëm të bashkësisë ndërkombëtare ndaj Serbisë, me qëllim zbardhjen e fatit të viktimave të luftës dhe nxjerrjen e përgjegjësve para drejtësisë.
Ai ka kërkuar që ndaj Serbisë të ushtrohet më shumë presion për hapjen e arkivave ushtarake dhe policore, për gjetjen e vendndodhjes së të gjitha varrezave masive dhe për dorëzimin e autorëve para organeve të drejtësisë. Racaj ka përfunduar për “Bota sot” se pa drejtësi nuk mund të arrihet pajtim i sinqertë, ndërsa pa zbardhjen e plotë të së vërtetës nuk mund të ketë paqe të qëndrueshme në Ballkan.
Ky veprim i zakonshëm nuk lidhet vetëm me padurimin – ai na krijon një ndjenjë kontrolli dhe e bën pritjen…
Drita e gjelbër dhe veturat që presin mund t’ju çojnë te përgjigjja e gabuar – zgjidhja fshihet diku tjetërSituatat në…
Një eksperiment i thjeshtë tregoi se edhe bisedat e shkurtra me njerëz që nuk i njohim mund të ndikojnë në…
Pas nevojës për të pasur gjithmonë një histori më të madhe, një përvojë më të fortë apo fjalën e fundit…
Kanë kaluar pothuajse tre mijë vjet, por ky parim i lashtë për mikpritjen, respektin dhe drejtësinë vazhdon të ketë një…
E presim fshehurazi mesazhin e anulimit, por sërish themi “po” – pas këtij zakoni që na lodh fshihet një ndjenjë…