Ushtria e Kosovës pjesë e ushtrimit të NATO-s në Gjermani

Me ftesë të ushtrisë amerikane, Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) i është bashkuar ushtrimit të përbashkët ushtarak “Saber Junction 25”, që po zhvillohet në Hohenfels të Gjermanisë.

FSK po merr pjesë në këtë ushtrim ndërkombëtar me një Kompani të Këmbësorisë dhe një skuadër të specializuar për materie të rrezikshme (CBRN), me qëllim të demonstrimit të profesionalizmit dhe ndërveprueshmërisë me ushtritë partnere të ShBA-së dhe vendeve të tjera aleate.

“Saber Junction 25” është një stërvitje fushore e dizajnuar për të testuar gatishmërinë e njësive luftarake dhe për të vlerësuar kapacitetet e tyre për operacione të përbashkëta, veçanërisht në kontekstin e rotacionit për misionin e KFOR-it në Kosovë.

Pjesëmarrja e FSK-së në këtë ushtrim përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt përforcimit të rolit të saj në sigurinë rajonale dhe bashkëpunimin ushtarak ndërkombëtar.


Shtuar 4.09.2025 16:15