Trazirat në LDK rrezikojnë krijimin e institucioneve të reja, analistët: Bisedimet me LVV-në nuk janë mbyllur

Procesi i daljes nga ngërçi politik në Kosovë është vënë në pikëpyetje pasi kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ndërpreu përfshirjen e tij në bisedimet për formimin e qeverisë. Ky veprim erdhi si pasojë e lëvizjes për shkarkimin e tij nga udhëheqja e partisë, duke shtuar dilemat mbi të ardhmen e marrëveshjes institucionale.

Të lidhura

None found

Ndërprerja e kontakteve me Lëvizjen Vetëvendosje ndodhi pikërisht kur komunikimi mes dy forcave politike kishte ngjallur shpresa për një pajtim që do të përshpejtonte ngritjen e institucioneve të reja. Tani, rrethanat e krijuara kanë nxitur paqartësi nëse dialogu LVV-LDK do të rimëkëmbet dhe çfarë ndikimi do të kenë përçarjet e brendshme të LDK-së në rrugën drejt institucionalizimit.

Njohësit e skenës politike theksojnë se trazirat brenda LDK-së po reflektohen menjëherë në ecurinë e negociatave, duke e komplikuar arritjen e një kompromisi. Mungesa e një stabiliteti të brendshëm, sipas tyre, ia zvogëlon forcën partisë për të marrë vendime me peshë strategjike, teksa vonesa në themelimin e institucioneve po thellohet në mënyrë alarmante. Megjithatë, ata nuk hedhin poshtë mundësinë që tryeza e bisedimeve të rihapet posa të zbardhet gjendja në LDK dhe të arrihet një pikëpamje e përbashkët brenda saj.

Ekspertët tërheqin vëmendjen se, nëse përplasja vijon, efektet mund të kapërcejnë kufijtë e kësaj partie, duke prekur ritmin e ndërtimit institucional dhe stabilitetin e përgjithshëm politik të vendit. “Bota sot” u përpoq të siguronte reagime nga ligjvënës e zyrtarë të të dyja partive, por ata nuk pranuan të flasin për këtë temë.

Image

Për analistin politik Nijazi Halili, tërheqja e Lumir Abdixhikut nga angazhimet për formimin e institucioneve është një ngjarje që ndikon në mënyrë të drejtpërdrejtë në dinamikën politike. Ai nënvizon se, në momentin kur sinjalet për afrim qëndrimesh midis Lëvizjes Vetëvendosje dhe LDK-së po shumoheshin, ky vendim ka futur pasiguri dhe ka frenuar procesin e konsolidimit institucional.

“Masa e kryetarit të LDK-së për të pezulluar përfshirjen në ndërtimin e institucioneve përbën një zhvillim me pasoja të menjëhershme në klimën politike në Kosovë. Në një fazë kur kishte indikacione se kontaktet mes LVV-së dhe LDK-së mund të materializoheshin në një ujdi politike, kjo gjendje krijon paqartësi dhe ngadalëson krijimin e institucioneve të reja”, u shpreh Halili për “Bota sot”.

Sipas analizës së tij, një lider që vihet në dyshim për legjitimitet nga vetë radhët e partisë e ka të ndërlikuar të marrë vendime jetike. “Çdo marrëveshje potenciale me një forcë tjetër politike do të kërkonte përkrahjen e strukturave dhe një konsensus të gjerë të brendshëm. Prandaj, ndërprerja e bisedimeve mund të lexohet si një mënyrë për të evituar marrjen e vendimeve kyçe në një çast kur panorama brenda LDK-së mbetet e turbullt”, shton ai.

Megjithatë, Halili nuk sheh në këtë zhvillim fundin e rrugës për një bashkëpunim mes dy subjekteve. “Nuk mendoj se kjo vulos përfundimisht derën e një aleance LVV-LDK. Politika është një fushë në lëvizje të vazhdueshme dhe, kur ekziston vullneti për qëndrueshmëri institucionale e funksionim të shtetit, palët zakonisht gjejnë rrugën për t’u rikthyer në dialog. Nëse LDK ia del të kapërcejë përçarjen e brendshme dhe të dalë me një qëndrim të përbashkët, negociatat mund të rifillojnë mbi themele më të forta politike”, argumenton ai.

Duke prekur efektet e mundshme të krizës në LDK, Halili vlerëson se ndikimi mund të jetë më i gjerë se vetëm për partinë. “Nëse zgjatet, situata e brendshme në LDK mund të ketë pasoja jo thjesht për këtë forcë politike, por për të gjithë mekanizmin institucional të vendit. Kjo mund të riformësojë ekuilibrat politikë, të vonojë kalendarin e krijimit të institucioneve dhe të hapë shtigje për alternativa të reja politike”, thekson ai.

Në përmbyllje, Halili apelon tek të gjitha forcat parlamentare që të përqendrohen te dialogu dhe gjetja e pikave të përbashkëta. “Në këtë moment, përgjegjësia e çdo partie në Kuvend duhet të jetë orientimi kah bisedimet, kompromisi dhe interesi shtetëror, sepse qytetarët kërkojnë institucione që funksionojnë, jo zgjatje të krizave. Ngjarjet brenda LDK-së do të jenë përcaktuese jo vetëm për fatin e saj, por edhe për shpejtësinë e ngritjes së institucioneve të reja dhe stabilitetin politik në muajt që vijnë”, përfundon ai.

Nga ana tjetër, profesori dhe analisti politik Nexhat Bexheti shpreh mendimin se vonimi i themelimit të institucioneve nuk është një dukuri e re, por një proces që tashmë ka marrë trajta të theksuara shqetësuese. Sipas tij, bllokada institucionale është kthyer në një “Odisejadë” politike, ndërkohë që mungesa e zgjidhjeve po e rëndon gjithnjë e më tepër këtë situatë.

“Zvarritja e ngritjes së institucioneve të Republikës së Kosovës nuk është një risi. Ky proces tashmë ka marrë përmasat e një Odisejade dhe po shndërrohet në një sëmundje kronike të politikës sonë”, deklaron Bexheti për “Bota sot”. Ai risjell në kujtesë se në të shkuarën, angazhimi dhe trysnia e faktorit ndërkombëtar kishin shërbyer për tejkalimin e bllokimeve.

Image

“Më parë, kur aktorët e jashtëm përfshiheshin me rekomandime konkrete për afatet e krijimit të institucioneve, presioni i tyre sillte rezultate. Tani, duket se komuniteti ndërkombëtar ua ka deleguar partive politike mënyrën e zgjidhjes së kësaj nyje dhe, fatkeqësisht, po shohim pasojat e një qasjeje të tillë”, vëren ai.

Për sa i përket procesit të bisedimeve, Bexheti thekson se barra për krijimin e institucioneve bie mbi fituesin e zgjedhjeve, Lëvizjen Vetëvendosje dhe mandatarin për kryeministër, Albin Kurti. “Bisedimet për formimin e qeverisë i përkasin fituesit, Lëvizjes Vetëvendosje me Albin Kurtin në krye. Ai ka filluar takimet me forcat parlamentare, por këto konsultime duhet t’i trajtojë me kujdes, pasi brenda subjekteve politike mungon serioziteti për të arritur një marrëveshje”, thotë ai.

Sipas Bexhetit, ndërprerja e bisedimeve nga ana e LDK-së tregoi se përplasjet e saj të brendshme po ndikojnë drejtpërdrejt në rrjedhën politike. “Pas takimeve të para me LDK-në, u krijua ideja se mund të gjendej një marrëveshje për institucionet, por kjo zgjati shumë pak. Lumir Abdixhiku i ndërpreu bisedimet sapo dolën në sipërfaqe kundërshtitë e brendshme dhe u vu në diskutim legjitimiteti i tij si lider partie. Kjo do të thotë se Albin Kurtit i duhet të nisë një raund të ri dialogu”, argumenton ai.

Bexheti gjithashtu vlerëson se prirja e Kurtit për bashkëpunim me LDK-në ka të bëjë edhe me perceptimin për cilësinë e kuadrove të kësaj partie. “Besoj se Albin Kurti ka shfaqur një farë simpatie për LDK-në, duke çmuar se aty mund të gjejë personalitete më pak të ngarkuara nga skandalet e korrupsionit, çka do ta ndihmonte në formimin e një ekzekutivi me fizionomi të pastër”, thekson ai.

Profesori shton se shtrirja e dialogut nuk duhet kufizuar vetëm me partitë shqiptare. “Kurti duhet të ulet në tryezë edhe me Listën Serbe, për të parandaluar pakënaqësitë e komunitetit serb dhe për të forcuar integrimin e tyre në institucionet e vendit. Paralelisht, ai duhet ta mbajë të hapur komunikimin edhe me subjektet e tjera parlamentare”, shprehet Bexheti.

Në fund, ai paralajmëron se kriza brenda LDK-së mund të prodhojë pasoja të thella politike. “LDK-ja ka shanse të përballet me një ndarje në dy fraksione, pasi qëndrimet ndaj politikës së Lumir Abdixhikut janë të kundërta. Përplasjet dhe tensionet në kryesi mund ta dëmtojnë më tej partinë dhe ta ulin mbështetjen popullore, e cila tashmë gjendet në një nivel shqetësues”, përmbyll Bexheti.


Shtuar 24.07.2026 12:26

matbetmatbetJojobetşanlıurfa konteynerBetpasPusulabet girişbetciobetcio girişHoliganbetGrandpashabetGrandpashabetGrandpashabetGrandpashabetStarzbetJojobetJojobetjojobetgrandpashabetgrandpashabetgrandpashabetganobetcasibombetciojojobetgrandpashabet girişcasibomgrandpashabet