Tensionet në veri të Kosovës, Vjosa Osmani takim me komandatin e KFOR-it

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se autoritetet kosovare duhet të konsultohen dhe koordinohen me NATO-n në veçanti për ndërtimin e një plani të përbashkët për hapjen e urës në Mitrovicë.

Osmani i bëri këto komente gjatë një takimi me komandantin e misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, Ozkan Ulutas, njoftoi Presidenca.

Derisa e përsëriti qëndrimin e saj se çështja e hapjes së urës nuk duhet të bëhet temë e dialogut me Serbinë, Osmani ritheksoi se hapja e urës si akt normalizimi e integrimi është në interes të të gjithë qytetarëve, pa dallim etnie.

Qeveria e Kosovës njoftoi në fillim të gushtit synimet e saj për ta hapur urën mbi lumin Ibër edhe për qarkullim të automjeteve, e cila ndan Mitrovicën në jug me shumicë shqiptare dhe në veri me shumicë serbe, me gjithë kundërshtimin nga SHBA-ja, BE-ja dhe vendet e QUINT-it.

Kjo nxiti edhe protestë të serbëve të Kosovës në veri javën e kaluar, të cilët e kundërshtojnë hapjen e urës.

Kosova dhe Serbia u pajtuan më 2014, gjatë dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja, që ura të hapet për qarkullim, por kjo nuk është realizuar kurrë në praktikë.

Tani ura është e hapur vetëm për këmbësorë dhe ushtarët italianë të KFOR-it ndodhen në të. Pjesëtarët e Policisë së Kosovës ndodhen afër saj gjithashtu/ REL


Shtuar 19.08.2024 17:17