“Tendencë për të provokuar situatën”, drejtori i Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë komenton lëvizjet e fundit të forcave serbe

Ushtria serbe është parë së fundi duke kryer lëvizje në afërsi të kufirit me Kosovën. Këto lëvizje vijnë pak ditë pasi president serb, Aleksandar Vuçiq, deklaroi se nuk e përjashton mundësinë që Serbia të përdorë forcën në Kosovë, për shkak të sjelljes së autoriteteve të Prishtinës dhe komunitetit ndërkombëtar.

Pamjet që u publikuan nga kryeministri Albin Kurti, nxitën reagimin edhe të ekspertëve të sigurisë, të cilët vlerësojnë se këto lëvizje duhet të merren seriozisht nga institucionet kosovare.

Mentor Vrajolli, drejtor i Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë në një prononcim për mediat vendese ka thënë se këto lëvizje kanë tendenca për të provokuar situatën.

“Sa i përket këtyre lëvizjeve në kufi mes Kosovës dhe Serbisë, duket qartë se ka tendenca për të provokuar situatën. Këto tendenca nuk janë të reja, këto tendenca kanë qenë edhe me herët, qoftë me rastin e rrëmbimit të policëve të Kosovës, por edhe me raste tjera”, tha ai.

Vrajolli theksoi se do të ishte mirë që për këto çështje të diskutohet në Bruksel, pasi sipas tij, nuk mund të ketë dialog efikas kur tensionet mes dy vendeve janë rritur.

“Mendoj që këto veprime duhet të merren seriozisht, ngase do të ishte mirë që para se të flitet për tema që ndoshta nuk janë aq relevante, pra, duke pasur parasysh se situata në mes Kosovës dhe Serbisë është duke u përkeqësuar dhe tensionet janë rritur”, theksoi ai.

Vrajolli pohoi se njëra ndër pikat kyçe në Bruksel do të duhet të ishte pika kufitare mes Kosovës dhe Serbisë.

“Rrethanat e tanishme tregojnë se është vështirë për dialog efikas, duke pasur parasysh faktin që tensionet janë të mëdha, dhe është e kotë të diskutohet për dialog efikas…”, potencoi ai.

Vrajolli foli edhe për raportin “Projekti 5000 i Serbisë”, të cilin e kanë publikuar para pak ditësh, e që flet për zgjerimin e forcave speciale ushtarake dhe pasojat e tij të mundshme në paqen dhe stabilitetin rajonal.

“Është vështirë të besohet që po bëhet për qëllime defensive, Serbia po përgatitet për momente të caktuara që të fuqizojë kapacitetet e saj, dhe gjithçka për neve është që të ngritët alarmi, pra shteteve që potencialisht janë të afektuara që të jenë më vigjilente ndaj këtyre veprimeve”, deklaroi ndër tjera ai.


Shtuar 22.03.2024 14:53